Tetë aktivistë ndërkombëtarë nga anija humanitare “Madleen” që ishte nisur drejt Gazës mbeten në paraburgim izraelit, transmeton Anadolu.
Organizata izraelite e të drejtave të njeriut dhe qendra ligjore Adalah tha se mbajtja në paraburgimi i vullnetarëve të anijes “Madleen” është “plotësisht i paligjshëm”.
“Vullnetarët duhet të lirohen menjëherë dhe të kthehen në mënyrë të sigurt ose në anijen ‘Madleen’ për të rifilluar misionin e tyre humanitar në Gaza ose në vendet e tyre të origjinës”, tha grupi i të drejtave të njeriut.
Herët në mëngjesin e të hënës, forcat izraelite kapën anijen me flamur britanik në ujërat ndërkombëtare dhe ndaluan ekuipazhin e saj prej 12 personash.
Anija ishte nisur nga qyteti italian Katania më 6 qershor për në Gaza, në një përpjekje për të thyer bllokadën detare izraelite ndaj enklavës palestineze, ku të paktën 55 mijë palestinezë janë vrarë në sulmet vdekjeprurëse izraelite që nga tetori i vitit 2023.
Dje, autoritetet izraelite dëbuan katër aktivistë të anijes “Madleen”, përfshirë aktivisten suedeze të klimës Greta Thunberg, në vendet e tyre të origjinës, ndërkohë tetë të tjerë mbeten në paraburgim.
Grupi Adalah tha se tetë aktivistët u akuzuan për hyrje të paligjshme në Izrael.
“Ata as nuk kërkuan të hyjnë në Izrael dhe as nuk e kishin ndërmend të hyjnë në ujërat territoriale izraelite. Rruga e tyre e planifikuar ishte nga Siçilia në ujërat ndërkombëtare dhe pastaj drejtpërdrejtë në ujërat territoriale të njohura ndërkombëtarisht të shtetit të Palestinës”, tha grupi.
Grupi identifikoi aktivistët në paraburgim izraelit, respektivisht Şuayb Ordu nga Turqia, Mark van Rennes nga Holanda, Thiago Avila nga Brazili Yasemin Acar nga Gjermania si dhe Rima Hassan, Pascal Maurieras, Yanis Mhamdi dhe Reva Viard nga Franca.
Adalah akuzoi Tribunalin Izraelit të Rishikimit të Paraburgimit se u ka mundësuar autoriteteve “të zgjasin paraburgimin në mënyrë arbitrare, potencialisht për një muaj deri më 8 korrik të vitit 2025, pa ndonjë mbikëqyrje të mëtejshme gjyqësore”, duke caktuar një rishikim pasues të paraburgimit për aktivistët më 8 korrik, “në shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar”.
Derisa Izraeli ka vazhduar t’i mbajë të mbyllura të gjitha pikat kufitare të Gazës për ndihmën humanitare që nga fillimi i muajit mars, agjencitë e ndihmës kanë paralajmëruar për rrezikun e urisë midis 2.4 milionë banorëve të Gazës.
Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu po përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.