Rreth 4 mijë bimë kanabisi janë zbuluar dhe sekuestruar nga policia në një banesë në zonën e Peqin, në kuadër të një operacioni kundër kultivimit të lëndëve narkotike.
Sipas informacioneve, prona ku u gjet sasia e konsiderueshme e bimëve narkotike rezulton të jetë në pronësi të drejtorit të IEVP Rrogozhinë, Bilal Hasa, i cili është shpallur në kërkim nga autoritetet.
Pas publikimit të rastit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve reagoi zyrtarisht, duke bërë të ditur se është njohur me ngjarjen përmes mediave dhe ka marrë masa të menjëhershme.
Institucioni njofton se Hasa është pezulluar nga detyra deri në sqarimin e plotë të rrethanave nga organet e drejtësisë, ndërsa thekson se distancohet nga çdo veprim i paligjshëm.
Njoftimi zyrtar:
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është vënë në dijeni nga mediat lidhur me rastin e drejtorit të IEVP Rrogozhinë, Bilal Hasa.
Në vijim të informacionit të marrë, Drejtoria e Përgjithshme ka ndërmarrë masa administrative të menjëhershme për pezullimin e tij nga detyra, deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes nga organet kompetente.
Gjithashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve distancohet nga çdo veprim që bie ndesh me ligjin dhe thekson se mbështet plotësisht hetimin e plotë dhe transparent të rastit.


