Policia e Kukësit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Episodi”, duke arrestuar dy persona të dyshuar për një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur më 5 shtator 2025, në lagjen nr. 5 të qytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00, kur gjatë një konflikti për motive të dobëta është qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit H. A. Fatmirësisht, nga të shtënat nuk pati të lënduar.
Pas hetimeve intensive, Policia e Kukësit bëri të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasit Frank Dida, 47 vjeç, banues në fshatin Pobreg. Ky shtetas rezulton i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe tashmë akuzohet për veprat penale “Vrasja”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Në kuadër të të njëjtit operacion u arrestua edhe djali i motrës së autorit, shtetasi Sami Jeminaj, 23 vjeç, banues në Kukës. Ai akuzohet për “Moskallëzim krimi”, pasi dyshohet se ka qenë i pranishëm gjatë ngjarjes dhe nuk ka njoftuar autoritetet për krimin.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.