Një 63-vjeçar italian, me banim të përkohshëm në Shqipëri, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm, katër ditë pasi kishte kryer një ndërhyrje dentare në një klinikë private në Rrugën e Kosovarëve, në Tiranë.
Burime nga policia bëjnë me dije se shtetasi me iniciale D. S., kishte kryer ndërhyrjen më 20 maj, por dy ditë më vonë kishte shfaqur probleme shëndetësore dhe ishte paraqitur në spital për ndihmë mjekësore.
Pavarësisht trajtimit, 63-vjeçari nuk arriti të mbijetojë dhe ndërroi jetë. Lidhur me rastin, policia ka marrë në pyetje administratorin dhe dentistin e klinikës dentare, ndërsa vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Ende nuk ka një përgjigje zyrtare nëse ndërhyrja dentare ka pasur lidhje direkte me vdekjen e të ndjerit. Autoritetet janë në pritje të aktit të ekspertizës mjeko-ligjore.
“Më datë 22.05.2025, ka shkuar për mjekim në spital shtetasi italian D. S., 63 vjeç, me banim të përkohshëm në Tiranë, pasi dyshohet se pas një ndërhyrje kirurgjikale më datë 20.05.2025, në një klinikë dentare në Rrugën e Kosovarëve nuk është ndier mirë. 63-vjeçari, pavarësisht ndihmës mjekësore të marrë, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 kanë kryer veprimet e para hetimore, ku i kanë marrë deklarim administratorit dhe dentistit të klinikës. Materialet u referuan në Prokurori, për vlerësim të mëtejshëm të rastit”, njoftoi policia.