“Ata u grindën sepse babai im ishte shumë xheloz”, kështu është shprehur një prej vajzave të 36-vjeçares Marjola Nakoleci, nënë e katër fëmijëve, e cila u vra të premten e kaluar në Volos nga bashkëshorti i saj, Pandeli Nakoleci.
Vajza e cila ishte e pranishme në ngjarjen tragjike, ka deklaruar për mediat greke se nuk dëshiron ta shohë më të atin.
Ajo thekson se mëngjesin e ngjarjes tragjike, Marjola i kishte thënë bashkëshortit të divorcohej, ndërsa ai e kishte kapur 36-vjeçaren nga flokët dhe e kishte hedhur përtokë.
“Ata u grindën sepse babai im ishte shumë xheloz për këtë,” tha ajo, duke shtuar se ata ishin grindur më parë. “Ne ishim mirë. Kohët e fundit, ai filloi të punonte në ndërtim. Ai ishte normal. Ai nuk bërtiste, nuk pinte, asgjë nga këto. Thjesht filloi nga xhelozia dhe kjo është arsyeja pse e bëri”, është shprehur ajo për mediat greke.
Më tej ajo ka treguar të tjera detaje mbi sherrin mes prindërve, ku rrëfen se e ëma ka bërtitur për ndihmë në momentin e konfliktit me të shoqin.
“Nëna ime po bërtiste ‘ndihmë, ndihmë’. Dhe ai e bëri shpejt dhe iku. E pashë të gjithën. Dhe kur ai e goditi me thikë dhe kur ajo po bërtiste dhe kur e tërhoqi nga flokët, e hodhi përtokë dhe gjithçka. Ajo ishte në dhomë, ata po bërtisnin. Nuk i kushtova shumë vëmendje, po flija.
Pastaj mami filloi të thoshte: ‘do të më vrasësh’ dhe ai i tha ‘fute të voglin brenda’ dhe pastaj mami filloi të vraponte dhe u lodh nga kjo. Ishim unë dhe vëllai im, ai është 13 vjeç. Nuk di çfarë të them, ishte e papritur. Nuk di çfarë të mendoj. Ata u grindën dhe mami tha ‘është më mirë të ndahemi’ dhe ai iku për dy ditë. Mami nuk e nxori jashtë, ai thjesht iku vetë. Dhe pastaj ai u kthye pas dy ditësh dhe na thoshte ‘Më vjen keq’ dhe të gjitha këto, por ne e besuam. Nuk dua ta shoh më para meje…”, ka treguar ajo.