Policia e Vlorës ka bërë të mundur gjetjen e armës së zjarrit me të cilën tentoi të vetëvritej një vajzë 17-vjeçare katër ditë më parë në lagjen “Kushtrimi”.
Sipas njoftimit zyrtar, arma, një pistoletë, është gjetur këtë të enjte në një vend grumbullimi materialesh shtëpiake, pranë banesës së gjyshërve të adoleshentes. Ajo ndodhej e fshehur brenda një qeseje plastike.
“Në vijim të hetimeve për ngjarjen e ndodhur më datë 14.07.2025, në lagjen ‘Kushtrimi’, ku një 17-vjeçare mbeti e plagosur rëndë pas tentativës për vetëvrasje me armë zjarri, u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi, në cilësinë e provës materiale, i armës së zjarrit pistoletë,” – njofton policia.
Kujtojmë se ngjarja tronditëse ndodhi më 14 korrik, kur e mitura tentoi t’i jepte fund jetës duke qëlluar veten me armë zjarri. Ajo u dërgua në gjendje të rëndë në spital dhe vijon të jetë nën kujdesin intensiv të mjekëve.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes po vijojnë, ndërsa ende nuk dihet si e siguroi 17-vjeçarja armën.
Njoftimi i policisë
Vlorë/Gjendet dhe sekuestrohet arma e zjarrit që dyshohet se u përdor nga 17-vjeçarja në tentativën për vetëvrasje.
Në vijim të hetimeve për ngjarjen e ndodhur më datë 14.07.2025, në lagjen “Kushtrimi”, ku një 17-vjeçare mbeti e plagosur rëndë pas tentativës për vetëvrasje me armë zjarri, u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi, në cilësinë e provës materiale, i armës së zjarrit pistoletë, e cila ishte hedhur në një vend grumbullimi materialesh të ndryshme shtëpiake, pranë banesës së gjyshërve të të miturës dhe ndodhej brenda një qeseje plastike.
Arma e sekuestruar do t’i dërgohet Institutit të Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme, me qëllim dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Materialet shtesë iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.