Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar sot për emërimin e Genc Deromemajt, ish-kryetar i PD-së në Vlorë, në postin e drejtorit të Kadastrës së Vlorës. I pyetur nga gazetarët gjatë konferencës për shtyp, Berisha u shpreh se Deromemaj kishte njoftuar largimin nga partia, por nuk e kishte informuar se do të merrte një funksion shtetëror.
“Para 10 ditësh më dërgoi një mesazh dhe më informoi se do largohej nga aktiviteti politik. Në fakt, nuk kishte pasur aktivitet për arsye të veta. Është zgjedhje e tij dhe unë personalisht e kam thënë – thelbi i lirisë është zgjedhja. Ai ka bërë një zgjedhje,” tha Berisha.
Sipas tij, marrja e një posti në një institucion që e cilësoi “në shërbim të partisë së krimit”, nuk është diçka që do ta bënte një demokrat i vërtetë.
“Ka marrë një post që një demokrat nuk e merrte kurrë. Si e gjeti këtë vlerësim të lartë nga partia e krimit, ai e di vetë. Unë nuk kam dijeni për këtë,” u shpreh Berisha.
Berisha: Para 10 ditësh dërgoi një mesazh, më informoi se do largohet nga aktiviteti politik. Në fakt nuk ka patur aktivitet për arsye të veta. Është zgjedhje e tij dhe unë personalisht e kam thënë, thelbin e lirisë e konsideroj si zgjedhje, ai ka bërë një zgjedhje. Ka marrë një post, që një demokrat nuk e merrte kurrë. Ai ka bërë zgjedhjen e tij.
Nuk kam dijeni për asnjë rast tjetër. Rasti i tij ishte evident. Nuk më njoftoi se do merrte funksion. Në një vend ku rrinë nga 3 muaj, në Vlorë. Por është zgjedhja e tij. Investimin ai e ka patur në PD. Si gjeti këtë vlerësim të lartë nga partia e krimit, nuk kam dijeni.