Ish-drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), Genc Juka, ka reaguar pas vendimit për shkrirjen e këtij institucioni, duke thënë se lajmi e ka surprizuar. Në një intervistë për emisionin Log. në News 24, Juka theksoi se AKU ishte ngritur me një mbështetje të fortë nga Bashkimi Evropian, si në aspektin ligjor ashtu edhe në atë financiar.
“U surprizova kur dëgjove lajmin. Në vitin 2009 isha në atë kohë deputet dhe kam qenë moderator i ligjit të ushqimi. Ishte një nga kërkesat kur ishim kandidat potencial për në BE. Ishin dy kërkesa, ndërtimi i ligjit të ushqimit, e dyta për agjencinë e pagesave, politika bujqësore evropiane. Jam emëruar drejtori i parë i AKU. Kaloi në dy stade në atë kohë AKU me mbështetje serioze dhe vëmendje të BE, ku ishte një strukturë e BE-së për ndërtimin e sistemit me vlerë konsulence 3 mln e ca euro”, tha Juka.
Ai kujtoi se BE investoi në dy faza: fillimisht me një projekt prej 3 milionë eurosh për ngritjen e sistemit, dhe më pas me një tjetër fazë konsolidimi po me vlerë të njëjtë. Më vonë, sipas tij, Bashkimi Evropian akordoi edhe 10 milionë euro për ndërtimin e selive të AKU-së në 10 qarqe.
Sipas Jukës, problemet për AKU-në nisën në momentin kur institucioni filloi të përballej me ndërhyrje të vazhdueshme politike dhe ndryshime të shpeshta të drejtuesve.
Juka theksoi gjithashtu se përmes ndryshimeve të njëanshme në ligjin për veterinarinë, institucioni u deformua në thelb dhe i humbi kompetencat për kontrollin e sigurisë ushqimore.
Në përfundim, ai vuri në dukje se shkrirja e AKU-së lë bosh një sistem që ishte ngritur për të garantuar standardet evropiane të sigurisë ushqimore, dhe se vendimi lë të paqartë se kush do ta marrë rolin e kontrollit ndaj produkteve ushqimore në treg.
Genc Juka: U surprizova kur dëgjove lajmin. Në vitin 2009 isha në atë kohë deputet dhe kam qenë moderator i ligjit të ushqimi. Ishte një nga kërkesat kur ishim kandidat potencial për në BE. Ishin dy kërkesa, ndërtimi i ligjit të ushqimit, e dyta për agjencinë e pagesave, politika bujqësore evropiane. Jam emëruar drejtori i parë i AKU. Kaloi në dy stade në atë kohë AKU me mbështetje serioze dhe vëmendje të BE, ku ishte një strukturë e BE-së për ndërtimin e sistemit me vlerë konsulence 3 mln e ca euro.
Faza e dytë konsolidimi i sistemit me po kaq vlerë. Më vonë BE dha edhe 10 mln euro për ndërtimin e selive të AKU-së në 10 qarqe. Ishte një punë serioze dhe AKU ishte i sapolindur. U sulmua mjaft por krijoi një lloj identiteti. Pikërisht në këtë moment u sulmua. Iu morën zyrat. Më vonë, në kronologji janë gati 12 drejtorë, AKU duhej të suportohet nga qeveria, nga të gjithë institucionet që kishin marrëdhënie.
Nga publiku shqiptar, ishte sistemi që do i ndërronte ato. Sulmi i fundit ishte ky. Kur ndërrohen 12 drejtorë fillon dhe ndryshon sistemi, fillon degjeneron. Ishte një inkompetencë e vazhdueshme. U bën ndryshime në ligjin veterinar. Nuk mund t’ja lësh të gjithë të drejtat një institucioni për sigurinë ushqimore.