Sinoptikantja Lajda Porja thotë se kushtet atmosferike në Shqipëri do të përkeqësohen përsëri dhe priten reshje të dendura shiu që mund të rrezikojnë përmbytje të tjera në vend.
E ftuar në emisionin “Kjo Javë”, ajo tha se sipas parashikimit të motit, fundjava dhe më konkretisht e shtuna, do të risjellë edhe njëherë përkeqësimin e kushteve atmosferike.
“Të shtunën presim sërish reshje masive e që do shtohen goxha. Tokat janë nën ujë prej disa ditësh aktualisht, por reshjet do kthehen. Zonat jugperëndimore dhe veriperëndimore do jenë më problematike, më të prekura. Do jenë zona si Shkodra, Lezha, Durrësi, por gjithashtu Tirana do marrë reshje, edhe pse më pak, do jetë gjithashtu Vlora dhe Fieri, të cilat do jenë edhe ato që do të marrin më shumë reshje”, shpjegoi Porja për “News 24”.
Sinoptikantja bëri një koment edhe për zjarrin e rënë te dyqanet dhe magazinat e tregut të “5 Majit” në Tiranë, ku vatra është ende aktive dhe po shkakton katastrofë.
Ajo tha se pikërisht në ditët që Shqipëria u përmbyt nga shirat, në Tiranë bie një zjarr i fuqishëm, por për ironi nuk ka ujë, sepse shiu ka ndaluar.
“Për fat ndodhi sot ndërprerja e reshjeve. Por nga ana tjetër është ironike të thuash, se e gjithë Shqipëria u përmbyt prej disa ditësh nga shirat e dendur, kurse sot bie zjarr në Tiranë dhe nuk ka ujë”, tha ajo.


