Prokuroria e Posaçme po pret një letër-porosi në rrugë zyrtare nga ana e autoriteteve të Greqisë, sepse nuk mund të veprojë vetëm me dokumente të referuara nga persona të ndryshëm apo që e kanë denoncuar magjistraten, sikurse kreu i PD, Sali Berisha.
Kështu u shpreh gazetarja Klodiana Lala për detajet e hetimit që po bëhet për gjyqtaren e GJKKO-së, të akuzuar se ka fshehur një dënim për falsifikim në Greqi shumë vite më parë, duke mos e deklaruar në Formularin e Dekriminalizimit.
“Prokurorët janë duke pritur letër-porosinë nga autoritetet greke. Kjo provë nuk mund të merret dorazi, por vetëm në rrugë zyrtare nga autoritetet greke, edhe pse zoti Berisha i ka thënë dhe publikuar dokumentet. Prokuroria pret që të vijnë materialet nga Greqia që të veprojë, kjo është procedura”, tha Lala për “News 24”.
Teksa vuri në dukje habinë se si gjyqtarja nuk e kishte deklaruar çështjen në formular, pasi vepra ishte parashkruar dhe nuk e dëmtonte, gazetarja shpjegoi se magjistratja nuk mund të qëndrojë më në atë detyrë dhe se hetimi duhet të jetë i përshpejtuar, pasi cenohen çështjet hetimore dhe gjyqet.
“Vepra penale është parashkruar për gjyqtaren Irena Gjoka, mjafton që ajo ta kishte deklaruar në formularin e Dekriminalizimit. Të paktën penalisht dhe jo moralisht. Nuk mund ta ketë harruar këtë detaj në deklarim, sepse e kam thënë edhe në atë kohë, edhe pse pa dokumente. Por zonja Gjoka nuk mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj si gjyqtare e GJKKO-së, në të kundërt duhet të veprojnë autoritetet e drejtësisë. Ne kemi precedentë, kemi një gjyqtar të lartë që e humbi të drejtën përgjithmonë për funksionin në Gjykatën e lartë, për një vjedhje në market në Itali, një çështje e rëndomtë, por ai e humbi të drejtën. Ky është standardi dhe duhet zbatuar”, tha ajo.
Lala shprehu edhe habinë se si Komisioneve të Vettingut u kishte shpëtuar ky detaj me Gjokën, duke mos arritur ta verifikonin në rrugë zyrtare, edhe pse ndaj saj kishte akuza dhe dyshime të hershme. Lala shpjegoi edhe pse duhet hetimi i shpejtë i çështjes dhe dëgjesa në KLGJ, pasi magjistratja tashmë është e shantazhueshme.
“Si ka mundësi që një gjykatës e ka kaluar shkallën e Vettingut. Sepse këta gjyqtarë mund të jenë lehtësisht të shantazhueshëm më pas. Në kushtet që jemi duhet të veprohet me shpejtësi për këtë çështje, edhe në rrugë diplomatike, për të marrë një vendim të shpejtë për zonjën Gjoka. Janë dy momente, i pari hetimi që ka brenda edhe afatet dhe teknikalitetet, si dhe këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili duhet të mbajë një mbledhje të hapur për këtë çështje në fakt, sepse bëhet fjalë për një gjyqtare të lartë”, vijoi ajo.
Lala shpjegoi edhe procedurën që ndiqet, ku në pritje të hetimit dhe letër-porosisë, pas referimit nga Prokuroria e Përgjithshme, është KLGJ që nis procedurat ndaj Gjokës, nëpërmjet hetimit dhe dëgjesës.
“KLGJ do dëgjojë të gjithë relacionin e referuar nga Prokuroria e Përgjithshme dhe tjetra, zonja Gjoka të dëgjohet, pasi e ka këtë të drejtë. Por ajo nuk mund ta ushtrojë më funksionin e gjyqtares, kurse Prokuroria duhet të ushtrojë hetimin në mënyrë të paanshme dhe të pandikuar”, tha gazetarja.


