Agjencia e lajmeve Tasnim e Iranit ka raportuar se sulmi me raketa që sapo raportua në Katar mbi bazën ushtarak amerikane është një operacion i quajtur “Shpallja e Fitores”.
Burime ushtarake i kanë thënë agjencisë së lajmeve Reuters, se sistemi i mbrojtjes ajrore u aktivizua në bazën ajrore Ain al Asad në Irak.
Objektivi tjetër iranian besohet të jetë baza ajrore al Udeid në Katar, ndërsa autoritetet e atjeshme raportojnë se nuk ka viktima nga sulmi në bazën amerikane.
Katari ka thënë se rezervon të drejtën për t’u përgjigjur drejtpërdrejt dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
Gjithashtu njoftoi se mbrojtja e tij ajrore ka kapur një sulm me raketa, transmeton Telegrafi.
“Jemi të sigurt se mbrojtja ajrore e Katarit e pengoi sulmin dhe i ka kapur me sukses raketat iraniane”, thuhet në një deklaratë të Katarit.
“Një deklaratë që sqaron rrethanat e sulmit do të lëshohet më vonë nga Ministria e Mbrojtjes”, u tha ndër tjera.
Irani më parë kishte kërcënuar të hakmerrej kundër SHBA-së pas sulmeve në vendet e saj bërthamore gjatë fundjavës.
Në anën tjetër, presidenti amerikan Donald Trump gjendet në Dhomën e Situatave ndërsa Shtëpia e Bardhë thotë se po ‘monitoron nga afër’ kërcënimet ndaj bazës
Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Mbrojtjes po “monitorojnë nga afër” kërcënimet e mundshme ndaj bazës ajrore al Udeid në Katar. /Telegrafi/