Në një ceremoni të zhvilluar në Pallatin Presidencial në Damask, kompanitë “Kalyon Holding” dhe “Cengiz Holding” nga Turqia, UCC nga Katari dhe “Power International” nga SHBA-ja, nënshkruan një marrëveshje strategjike me Ministrinë e Energjisë të Sirisë për një investim prej 7 miliardë dollarësh në projekte energjetike në vend, raporton Anadolu.
Në prani të Presidentit sirian Ahmed Sharaa, konsorciumi i kompanive dhe Ministria e Energjisë ranë dakord për ndërtimin e termocentraleve me gaz natyror me një kapacitet të përgjithshëm prej 4.000 megavatësh në rajonet Treyfi, Zeyzun, Deyrizor dhe Miharde.
Gjithashtu, në rajonin Vidyan el-Rabii do të ndërtohet një central diellor me kapacitet prej 1.000 megavatësh.
Objektivat janë që termocentralet të përfundojnë brenda tre vitesh, ndërsa centrali diellor të hyjë në funksion brenda dy vitesh.
“Sot jemi dëshmitarë të një momenti historik për sektorin e energjisë në Siri. Po rindërtojmë një infrastrukturë që ka qenë e shkatërruar për vite me radhë. Ky bashkëpunim forcon integrimin rajonal dhe nxit zhvillimin e projekteve të energjisë së pastër dhe të rinovueshme”, tha ministri i Energjisë së Sirisë, Mohammed al-Bashir.
Sipas marrëveshjes, pritet që pas përfundimit të projekteve të prodhohen rreth 35 miliardë kilovat orë energji në vit, që do të mbulojë një pjesë të madhe të kërkesës për energji elektrike në Siri.
Pjesëmarrës në ceremoni ishte edhe ambasadori amerikan në Ankara dhe përfaqësuesi i posaçëm për Sirinë, Tom Barrack. Ai theksoi mbështetjen e SHBA-së për qeverinë e re siriane.
“Këto momente nuk ndodhin shpesh. Presidenti Donald Trump mori një vendim të guximshëm më 13 maj për të hequr sanksionet ndaj Sirisë. Dëshiroj të përcjell përshëndetjet e tij dhe të rikonfirmoj përkushtimin e tij për të mbështetur qeverinë siriane”, tha ai.
Ndërkaq, kryetari i Kalyon Holding, Cemal Kalyoncu, u shpreh i kënaqur për pjesëmarrjen në këtë projekt madhor.
“Si një kompani me 81 vite përvojë… jemi të kënaqur që jemi të përfshirë në një projekt kaq gjithëpërfshirës me partnerët tanë. Me fuqinë tonë inxhinierike, përvojën menaxheriale dhe qasjen e orientuar drejt zgjidhjeve, synojmë të kontribuojmë në sigurinë e furnizimit me energji të Sirisë. Besoj se ky bashkëpunim do të mbështesë zhvillimin dhe stabilitetin rajonal, dhe shpresoj se do të jetë i dobishëm për të gjitha palët”, tha Kalyoncu.
Ai shtoi se ky është investimi i tyre i parë në Siri, por shprehu shpresën se nuk do të jetë i fundit.