Partia Demokratike ka bërë një denoncim të fortë në lidhje me Drejtoreshën e Tatimeve Tiranë, Erilinda Lala, e cila më herët është denoncuar edhe nga një investigim i emisionit “Vetting”. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit, Genta Vangjeli thotë se rasti i saj ekspozon një skemë të dyshuar për fshehje pasurie, konflikti interesi dhe një projekt ndërtimi me vlerë 10 mln euro në bregdetin e Qerretit.
Partia Demokratike ka bërë një denoncim të fortë në lidhje me Drejtoreshën e Tatimeve Tiranë, Erilinda Lala, e cila më herët është denoncuar edhe nga një investigim i emisionit “Vetting”. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit, Genta Vangjeli thotë se rasti i saj ekspozon një skemë të dyshuar për fshehje pasurie, konflikti interesi dhe një projekt ndërtimi me vlerë 10 mln euro në bregdetin e Qerretit.
Sipas PD, transferimi i aksioneve të kompanisë 2D ngre dyshime për fshehje të pronësisë reale. Vangjeli më tej deklaroi se kjo kompani ka marrë leje në kundërshtim me ligjin në fuqi, ndërsa thekson se alarmuese janë deklarimet e pasurisë.
“Një tjetër skandal i rëndë trondit administratën e Edi Ramës. Rasti i Drejtoreshës së Tatimeve, Erilinda Lala ekspozon një skemë të dyshuar për fshehje pasurie, konflikt interesi dhe lidhje me një projekt ndërtimi më vlerë 10 mln euro në bregdetin e Qerretit.
Nga këshilltare pranë ministrisë së Financave pranë ministrit Petrit Malaj në krye të Tatimeve të Tiranës. Karriera e saj përkon me lëvizje të dyshimta financiare dhe vendimmarrje që ngre pikëpyetje serioze”, tha Vangjeli.
Sipas zëdhënës së Antikorrupsionit në PD, për këtë skandal nuk ka asnjë reagim dhe asnjë masë nga ana e Institucionit për Kontrollin e Pasurive.
“Ky rast nuk është vetëm një shkelje individuale, por dëshmi e një sistemi të kapur, ku ligji zbatohet për qytetarët e zakonshëm dhe anashkalohet për zyrtarët e lidhur me pushtetin”, tha Vangjeli, e cila theksoi se “PD kërkon transparencë të plotë, hetim të menjëhershëm dhe të pavarur dhe vënien para përgjegjësisë të cdo zyrtari të përfshirë në këtë aferë”.
Deklarata e plotë e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:
Një tjetër skandal i rëndë trondit administratën publike.
Rasti i Drejtoreshës së Tatimeve Tiranë, Erilinda Lala, ekspozon një skemë të dyshuar për fshehje pasurie, konflikt interesi dhe lidhje me një projekt ndërtimi me vlerë 10 milion euro në bregdetin e Qerretit.
Nga këshilltare në Ministrinë e Financave, pranë ministrit Petrit Malaj, në krye të Tatimeve, karriera e saj përkon me lëvizje të dyshimta financiare dhe vendimmarrje që ngrenë pikëpyetje serioze.
Transferimi i aksioneve të kompanisë ‘2D Construction 2025’ në moment të fundit, përmes personave të afërt dhe me miratim të bashkëshortit të saj, ngre dyshime për fshehje të pronësisë reale.
Në të njëjtën kohë, kjo kompani, pa kapital të lartë pasi pajiset me licencë ndërtimi, dyshohet se ka marrë leje në kundërshtim me planifikimin urban dhe ligjin në fuqi.
Edhe më alarmuese janë deklarimet e pasurisë.
Të ardhura të konsiderueshme, të padeklaruara qartë në burim, mungesë transparence për bizneset përkatëse dhe mospërputhje mes të dhënave financiare dhe realitetit ekonomik të kompanive të lidhura.
Ndërkohë, institucioni përgjegjës për kontrollin e pasurive vijon të heshtë dhe të mos marrë asnjë masë.
Ky rast nuk është thjesht një shkelje individuale, por dëshmi e një sistemi të kapur, ku ligji zbatohet për qytetarët e zakonshëm dhe anashkalohet për zyrtarët e lidhur me pushtetin.
Partia Demokratike kërkon transparencë të plotë, hetim të menjëhershëm dhe të pavarur, si dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të çdo zyrtari të përfshirë në këtë aferë.
Denoncimi në Vetting
Në 29 maj 2025, në krye të Drejtorisë së Tatimeve Rajonale Tiranë do të vendosej si drejtuese Erilinda Lala në pozicion të komanduar.
Dokumentet e siguruara nga “Vetting” dhe korrespondenca me institucionet publike japin indicie se drejtoresha Lala është përfshirë në një sërë shkeljesh të rënda si fshehje pasurie së bashku me bashkëshortin Taulant Godroli. Dokumentet publike tregojnë se si lidhja midis drejtoreshës së Tatimeve Tiranë, Erilinda Lala dhe Taulant Godrolit, ka indicie të forta, ku sipas dokumenteve dhe denoncimeve publike, lidhja midis këtyre personave dhe një kompanie që ka përfituar kontrata publike me vlerë në dhjetëra miliona euro. Denoncimi i parë publik është bërë në maj 2016 nga Partia.
Sipas informacioneve të siguruara nga “Vetting”, ka dyshime të forta se drejtoresha e Tatimeve Tiranë, Erilinda Lala dhe bashkëshorti Taulant Godroli mund të kenë qenë në konflikt interesi si në procesin e ankimimit në Komisionin e Prokurimit Publik, ashtu edhe në gjykatë. Kjo, pasi Erilinda Lala ka qenë juriste pranë (Komisionit të Prokurimit Publik) KPP-së, ndërkohë që Taulant Godroli ishte jurist te kompania kur palët përballeshin te KPP-ja ose në Gjykatën Administrative.
KONFLIKTI I INTERESIT
Vetëm në periudhën 2014- 2018, kjo kompani do të bënte një fushatë të ethshme gjyqësore nëpër shkallët e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, si edhe asaj të Apelit. Do të ishte kjo periudha e artë kur kompania do të ngjiste shkallët në Prokurimin Publik, duke siguruar kontrata të majme në shkelje të mundshme të ligjit të prokurimit publik, pavarësisht kundërshtimit nga Komisionet e Vlerësimit të Ofertave apo Agjencia e Prokurimit Publik. Edhe pse do të paditej disa herë në gjykatë nga kompani private të skualifikuara nga Komisioni i Prokurimit Publik, përsëri kompania do të triumfonte. Sipas avokates Margarita Kola, këto raste duhen sqaruar kur palët përballen në Gjykatë. “Në qoftë se përfaqësuesi i asaj kompanisë, ka qenë burri i kësaj zonjës, e cila ishte në anën tjetër, palët kanë pasur për detyrë t’ua vënë në dijeni gjykatës. Pastaj ishte gjykata që shihte nëse kishte konflikt interesi apo jo”, – u shpreh avokatja Kola. Një nga gjyqet më të debatuara do të ishte ai për pastrimin e zonës 3 në kryeqytet, i shpallur nga Bashkia Tiranë në tetor 2014, me fond limit 198 milionë lekë, ose rreth 2 milionë euro. Në këtë tender morën pjesë disa kompani. Gjatë vlerësimit të ofertave, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave i Bashkisë Tiranë do të skualifikonte kompaninë nga gara. Arsyeja ishte se ajo nuk plotësonte disa kritere të tenderit. Konkretisht, pretendohej se deklarata për drejtuesin teknik nuk ishte për projektin e Tiranës, por për pastrimin e qytetit të Elbasanit, se nuk ishte paraqitur licenca përkatëse nga Qendra Kombëtare e Licencimit, se nuk ishte provuar numri minimal i punonjësve të siguruar dhe se kontratat e punëve të ngjashme të paraqitura nga kompania nuk përmbushnin kriteret e kërkuara.
PROCEDURA NË GJYKATË
Gjykata Administrative do të analizonte procedurën e tenderit për pastrimin në kryeqytet dhe do të arrinte në përfundimin se problemi kryesor nuk ishte nëse kompania kishte apo jo dokumente të rregullta, por fakti që padia e “Ecologica Albania” ishte bërë jashtë afatit ligjor. Për këtë arsye, gjykata nuk hyri në analizë të thellë të pretendimeve për dokumentet, por vendosi se padia ishte bërë me vonesë dhe nuk mund të shqyrtohej. “Megjithatë, mendoj që këta e kanë pasur për detyrë ta vinin gjykatën në dijeni nëse kanë qenë në të njëjtën çështje”, – deklaroi avokatja Kola. Por ngjarjet do të merrnin një kthesë të re në vitin 2018, kur Agjencia e Prokurimit Publik nisi një procedurë administrative ndaj kompanisë pas një kërkese të bërë nga kompania “Shpresa” shpk. Në procesin gjyqësor të zhvilluar në vitin 2018, gjykata analizoi procedurën e ndjekur nga Agjencia e Prokurimit Publik dhe mënyrën se si ishte arritur në përfundimin për përdorimin e dokumenteve të rreme. Gjykata do të evidentonte se hetimi administrativ i APP-së ishte bazuar kryesisht në një shkresë të Universitetit të Prishtinës të paraqitur nga kompania ankuese, pa u kryer një verifikim i drejtpërdrejtë dhe zyrtar nga vetë institucioni. Gjykata theksoi se për të provuar pavërtetësinë e një dokumenti zyrtar është i nevojshëm ose një verifikim zyrtar nga institucioni që e ka lëshuar dokumentin, ose një vendim gjyqësor penal apo civil që konstaton falsifikimin e tij. Për këtë arsye, gjykata arriti në përfundimin se vendimi i Agjencisë e Prokurimit Publik nuk ishte i mbështetur në prova të mjaftueshme dhe vendosi shfuqizimin e vendimit nr. 103 të APP-së. Kjo do të thotë se, edhe pse administrata publike kishte vendosur përjashtimin e kompanisë nga tenderat për shkak të përdorimit të dokumenteve me të dhëna të rreme, Gjykata Administrative e rrëzoi këtë masë sepse procedura e verifikimit të dokumenteve nuk ishte kryer në mënyrë të plotë.
RESORTI 20 MILIONË EUROSH
Në Shqipëri, ligji i ndërtimit është i qartë, asnjë tullë apo vijë nuk mund të vendoset mbi një truall pa u vërtetuar se kush është pronari i tokës dhe pa marrë pëlqimin e tij. Madje, kur bëhet fjalë për pronën publike të një bashkie, ky pëlqim jepet vetëm përmes votës së Këshillit Bashkiak, i cili është i vetmi organ që ka fuqinë ligjore të vendosë nëse kjo tokë mund të jepet në shfrytëzim.
Fakti që Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) ka nxjerrë një leje ndërtimi për kompaninë private “2D Construction 2025” me pronare Marsida Dedej dhe ish-aksionere drejtoreshën e Tatimeve Tiranë, Erilinda Lala, përpara se ky votim të ndodhte në Bashkinë Kavajë, është një skandal i rëndë. Sistemi elektronik i lejeve (eAlbania) është programuar që të jetë i pakalueshëm, pasi kërkon detyrimisht ngarkimin e certifikatës së pronësisë ose të kontratës së shfrytëzimit për të ecur përpara. Kjo situatë krijon dyshime se procedura në sistem mund të jetë kapërcyer, pasi projekti ka avancuar pa dokumentin bazë të pronësisë, duke injoruar mungesën e dokumentit bazë që legjitimon kompaninë private. Ky nuk është thjesht një anashkalim i bashkisë, por një cenim i rëndë i autonomisë vendore nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Praktikisht, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, që drejtohet nga Adelajda Roka, ka kaluar në KKT një projekt që nuk kishte certifikatën e pronësisë. Pas këtij projekti i cili është firmosur nga Këshilli Kombëtar i Territorit në kundërshtim me ligjin për kompaninë “2D Construction 2025”, ish-”Gea Construction”, dyshohet se fshihen drejtoresha e Tatimeve, Erilinda Lala dhe bashkëshorti i saj, Taulant Godroli. Leja e ndërtimit është dhënë nga KKT-ja përpara se të rregullohej marrëdhënia juridike mbi tokën. Të gjitha proceset si projektvendimi dhe vendimi i Këshillit Bashkiak janë marrë nga Bashkia Kavajë vetëm pasi është dhënë leja e ndërtimit. Konkretisht, Bashkia i ka kryer këto procedura në 20 tetor 2025, ndërsa leja e ndërtimit është dhënë më 23 korrik 2025.
Në këtë pikë lindin disa pyetje thelbësore: Për çfarë projekti i ka dhënë lejen Këshilli Kombëtar i Territorit kompanisë private kur nuk ishte përcaktuar ende prona ku do të ndërtohej? Si ka paraqitur kërkesën për këtë projekt Marsida Dedej nëpërmjet kompanisë “2D Construction 2025”, ndërkohë që nuk kishte tokën ku do të zhvillohej projekti? Dhe nga e ka ditur kompania se do të merrte leje nga KKT-ja dhe më pas nga Bashkia Kavajë për këtë sipërfaqe? Përgjigjet për këto pyetje mund t’i japë vetëm SPAK-u, pasi kemi një listë të gjatë zyrtarësh të lartë që mund të kenë shpërdoruar detyrën për t’i dhënë jetë një resorti që do t’i bëjë hije bregdetit me lartësinë e tij, e cila në këtë zonë është në kundërshtim me Planin e Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Kavajë. Një proces tjetër i rëndësishëm për të cilin mungon transparenca lidhet me mënyrën se si kjo pronë publike është dhënë nga Bashkia për zhvillim. Nga dokumentet rezulton se nuk është zhvilluar një proces konkurrimi për shfrytëzimin e pronës publike dhe nuk shpjegohet plotësisht statusi real i kësaj pasurie që i është dhënë kompanisë për zhvillim. Këto elemente janë pikërisht pikat që ngrenë pikëpyetje serioze për mënyrën se si është dhënë toka e bashkisë për këtë projekt. Planet për ndërtimin e resortit janë hedhur në erë nga kërkimet e redaksisë së “Vetting”, pasi sipas Bashkisë Kavajë, kompania nuk ka paguar taksën e ndërtimit, e cila përllogaritet rreth 1 milion euro.
“Vetting” ka siguruar kontratën e firmosur midis Bashkisë Kavajë dhe kompanisë private dhe ka evidentuar se projekti turistik në zonën e Qerretit kushton shumë më tepër se përllogaritja fillestare. Projekti parashikon ndërtimin e një kompleksi me godina banimi, shërbimi dhe hotelerie, me disa volume ndërtimi që arrijnë deri në 15 kate mbi tokë dhe me 2 kate parkim nëntokë. Në projekt janë parashikuar ndërtesa me lartësi të ndryshme, konkretisht 3, 8, 10, 12 dhe deri në 15 kate, të cilat do të formojnë një kompleks turistik me funksione banimi, hotelerie dhe shërbimesh. Duke u bazuar në përmasat e këtij resorti dhe në koston mesatare të ndërtimit për projektet turistike në bregdet, një kompleks i tillë mund të ketë një vlerë minimale investimi rreth 20 milionë euro. Kjo është një përllogaritje minimale që lidhet me sipërfaqen e pritshme të ndërtimit, pasi vlera reale mund të jetë shumë më e lartë. Një detaj tjetër i rëndësishëm që del nga kontrata dhe dokumentet zyrtare lidhet me praninë e një kanali kullues në zonën e projektit. Rezulton se bashkia është në dijeni të ekzistencës së këtij kanali dhe në dokumente përmendet se zhvillimi i projektit duhet të marrë parasysh praninë e tij. Kjo do të thotë se ndërtesat dhe infrastruktura e projektit nuk mund të ndërtohen mbi kanal dhe duhet të respektohet një distancë sigurie nga ai.


