VALENTINA MADANI/ Në një kohë kur shëndeti publik është më i rrezikuar se kurrë, një kërcënim i heshtur po kalon pa u vënë re në tryezat e shqiptarëve: pesticidet dhe kimikatet toksike që depërtojnë në ushqimet tona.
Ky problem jo vetëm që paraqet një kërcënim të menjëhershëm për jetën dhe mirëqenien e qytetarëve, por ka pasoja afatgjata dhe të thella në shëndetin e brezave të ardhshëm. Edmond Panariti, ish-ministër i Bujqësisë, paralajmëron se mungesa e kontrollit dhe monitorimit rigoroz po lejon që substanca të rrezikshme të konsumohen në nivele që tejkalojnë kufijtë e sigurisë, duke rritur ndjeshëm riskun për sëmundje kronike, probleme neurologjike dhe madje kancer.
Në këtë intervistë për gazetën “Panorama”, ai jep një pasqyrë të qartë dhe alarmante mbi situatën aktuale në vend. Panariti thekson nevojën urgjente për masa të forta ligjore, kontroll të rreptë dhe ndërgjegjësim të qytetarëve për të ndalur këtë rrezik që po kërcënon shëndetin e çdo shqiptari. Ai shpreh shqetësimin se Shqipëria, në prag të integrimit europian, po eksporton jo vetëm produkte bujqësore, por edhe pasiguri, papërgjegjshmëri dhe mungesë kontrolli.
Profesor Panariti, pse Shqipërisë po i bllokohen produktet ushqimore, siç ishte së fundmi rasti e frutave dhe të perimeve për prani të pesticideve dhe metaleve nga Kroacia dhe Sllovenia?
Në korrik, gusht dhe shtator 2025, Kroacia dhe Sllovenia bllokuan disa ngarkesa me pjeshkë dhe domate nga Shqipëria, duke i groposur për shkak të përmbajtjes së lartë të pesticideve të ndaluara dhe metaleve të rënda. Ky nuk ishte një incident i rastësishëm, por një simptomë e një dështimi sistemik që po dëmton ekonominë, reputacionin dhe shëndetin publik të vendit. Shqipëria, në prag të integrim it europian, po eksporton jo vetëm produkte bujqësore, por edhe pasiguri, papërgjegjshmëri dhe mungesë kontrolli.
A kemi të bëjmë me një krizë të sistemit të zbulimit dhe të gjurmimit të ndotësve në ushqimet që konsumojmë dhe që eksportojnë?
Tashmë ndodhemi në një krizë që nuk ka nevojë për më shumë prova. Kjo, sepse ngarkesat e bllokuara në Kroaci sipas analizave të kryera nga ata, përmbanin chlorfenapyr një insekticid toksik në nivele pesëfish më të larta se norma e lejuar nga Bashkimi Europian. Ndërsa pjeshkat nga Divjaka rezultuan me përmbajtje të lartë të nikelit, një metal i rrezikshëm për shëndetin, sidomos për fëmijët dhe gratë shtatzëna. Autoritetet kroate nuk i kthyen mbrapsht, por i groposën. Ky është një akt ekstrem që flet më shumë se çdo deklaratë politike. Pra, produktet shqiptare nuk janë të sigurta.
Konkretisht, cilat ushqime rrezikojnë shëndetin e shqiptarëve?
Nëse do t’ju referohemi gjetjeve të pranisë së ndotësve në ushqime, këto përfshijnë thuajse të gjitha prodhimet ushqimore. Qumështi me aflatoksinë përbën një kërcënim serioz për shëndetin, sepse këto lëndë toksike me prejardhje nga myqet në ushqimet e kafshëve janë të klasifikuara si kancerogjene. Salmonelat janë zbuluar në mënyrë të përsëritur në prodhimet e mishit duke kërcënuar shfaqjen e infeksioneve serioze në zorrë te konsumatorët. Ndërsa prania e insekticideve fosfororganike në nivele të larta në fruta dhe perime kërcënon për dëme serioze në sistemin nervor qendror të konsumatorëve.
Cilët janë shkaqet e dështimit të sistemit të sigurisë ushqimore te ne?
Shkaqet janë disa dhe po rendis disa prej tyre. Së pari, një zinxhir i instaluar i ndotjes së ushqimit nga ferma në treg dhe nga ferma në doganë. Së dyti, fermerë pa trajnim, pa mbikëqyrje. Së treti, përdorimi i pesticideve në bujqësi ndodh pa udhëzim teknik, pa respektuar periudhën e shpërbërjes (karencën) dhe shpesh me kimikate të ndaluara për përdorim. Informaliteti në bujqësi është i thellë, ndërsa edukimi agronomik i fermerëve mungon. Kemi institucione që nuk kontrollojnë, por raportojnë pas faktit.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) nuk ka protokolle të detyrueshme për analizë laboratorike para eksportit. Produktet kalojnë kufirin pa u testuar, duke e lënë përgjegjësinë te vendi pritës. Autoritetet nuk gjurmojnë ndotjet në ushqime. Nuk ekziston një sistem digjital që ndjek produktin nga ferma në pikën e eksportit. Në rast kontaminimi, nuk dihet kush është përgjegjës, ku është prodhuar dhe si ka kaluar pa u ndalur. Për më tepër, Shqipëria ndodhet jashtë sistemit RASFF. Bashkimi Evropian ka një mekanizëm të alarmit të shpejtë për produktet e rrezikshme të quajtur RASFF. Shqipëria nuk është pjesë funksionale e tij, duke e lënë vendin jashtë rrjetit të reagimit të koordinuar.
Cilët janë pasojat për Shqipërinë nga ky bllokim i përsëritur i eksporteve të saj drejt vendeve të BE?
Pasojat janë të shumta: Shqipëria po humbet më shumë se fruta dhe perime. Po goditet ekonomia e eksportit, gjë që shprehet në humbje të kontratave me Kroacinë dhe tregjet e BE-së. Po merr një goditje të rëndë reputacioni rajonal i vendit. Për fat të keq, Shqipëria shihet si vend me produkte të pasigurta. Integrimi europian po frenohet. Gjë që shprehet në ngadalësim të negociatave për kapitullin 12 të sigurisë së ushqimit në negociatat me BE. Shëndeti publik po ashtu i kërcënuar. Pra, rrezik për konsumatorët vendës nga produktet e ngjashme me ato të bllokuara nga Kroacia dhe Sllovenia, të cilat janë hedhur padyshim edhe në tregun vendës. Tronditje e rëndë e besimit të konsumatorit, e shprehur në rënie të konsumit të produkteve vendëse.
Çfarë duhet bërë për të ndalur këtë degradim të sigurisë ushqimore?
Duhet ndryshim i madh! Reforma nuk është opsion, është emergjencë! Duhet të kryhet certifikim i detyrueshëm para eksportit. Çdo produkt agro-ushqimor duhet të kalojë në laborator të akredituar për analizë të mbetjeve kimike dhe metaleve të rënda. Certifikata duhet të jetë kusht për kalimin doganor. Të kryhet trajnim dhe formalizim i fermerëve. Programet e edukimit për përdorimin e pesticideve, alternimin e kimikateve dhe respektimin e karencës duhet të jenë pjesë e politikave bujqësore. Formalizimi i operatorëve do të mundësojë kontroll më të mirë dhe mbështetje financiare. Të bëhet i detyrueshëm zbatimi i sistemit RASFF në Shqipëri.
Krijimi i një mekanizmi të alarmit të shpejtë për produktet e rrezikshme, në përputhje me direktivat e BE-së, do të mundësonte reagim të koordinuar dhe ndalimin e eksportit para se të ndodhin incidente. Të kryhet me urgjencë digjitalizimi i gjurmueshmërisë. Krijimi i një platforme digjitale që ndjek produktin nga ferma në doganë do të rrisë transparencën, besimin dhe do të lehtësojë eksportin në tregjet e BEsë. Në përfundim, Shqipëria nuk mund të eksportojë pasiguri. Nëse Shqipëria nuk garanton sigurinë ushqimore, nuk mund të pretendojë integrim europian, zhvillim të qëndrueshëm apo mbrojtje të qytetarëve. Bllokimi i frutave dhe perimeve është një thirrje për reflektim, por edhe një mundësi për transformim. Reforma nuk është luks, është domosdoshmëri! Shqipëria nuk mund të eksportojë më helmin e vet institucional. Duhet të eksportojë besim./Gazeta Panorama