Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar një kërkesë për interpelancë urgjente me zv. kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Ballukun. Kërkesa vjen menjëherë pasi Prokuroria e Posaçme njoftoi zyrtarisht marrjen e saj si të pandehur për tenderin e tunelit të Llogarasë.
Në kërkesën për interpelancë, të iniciuar nga 7 deputetë të PD, opozita kërkon përgjigje në lidhje me humbjen sipas saj të 50 milionë eurove.
“Sipas dokumentacionit zyrtar dhe burimeve të hapura të informacionit rezulton se fillimisht për këtë procedurë prokurimi publik ishte shpallur fitues operatori ekonomik “Gjoka Konstruksion”, me ofertë 140 milionë euro. Por, pas anulimit të kësaj procedure, është shpallur fitues bashkimi i operatorëve ekonomikë “INTEKAR – ASL”, me ofertë 190 milionë euro. Megjithatë, punimet janë kryer sërish me nënkontraktim nga shoqëria “Gjoka Konstruksion”, duke i sjellë Buxhetit të Shtetit një dëm të pajustifikuar prej 50 milionë euro”, thuhet në kërkesë.
Deputetët kërkojnë “dhënien e shpjegimeve dhe informacioneve lidhur me procedurat e prokurimit publik” të ndjekura, ndërsa kërkesa është referuar si urgjente.
Belinda Balluku, e cila iu bashkua kabinetit Rama në vitin 2019, është Zëvendëskryeministrja e dytë që përballet me SPAK, pas rastit të Arben Ahmetajt. Deri më tani, Kryeministria nuk ka pasur një reagim zyrtar nëse Balluku do të vazhdojë të mbajë postet e saj drejtuese në qeveri.
Ballukut iu njoftua nga SPAK, të premten, më 31 tetor, akuza për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim.
Pasi doli nga SPAK, Balluku deklaroi se kishte pranuar kërkesën e SPAK për një çështje në hetim dhe se besonte te drejtësia. “Si qytetare e Shqipërisë edhe zyrtare publike e shikoj këtë si një proces, një proces nga i cili jam shpresëplotë që do jetë i bazuar mbi transparencë, llogaridhënien dhe mbi të gjitha dhe mbi parimet drejtësisë tek e cila besoj,” tha ajo./BIRN/


