Gazetare: Syzana Hajradini
Instituti Albanologjik është institucion i pavarur publik kërkimor-shkencor, i cili në fokus ka gjuhën, letërsinë, folklorin, etnologjinë dhe historinë shqiptare.
Në lidhje me këtë institut, janë shpalosur një varg të gjetura nga Organizata Joqeveritare “Integra” në bashkëpunim me KFOS-in përmes raportit “Instituti i Vetizoluar”, raporton emisioni #gjesi në T7.
Në bazë të këtyre të gjeturave thuhet se drejtuesit e Institucionit të Albanologjisë mbajnë disa pozita, derisa tri revistat nuk i plotësojnë kriteret për publikime shkencore.
Autori i këtij raporti, Shkëlzen Gashi tha se “Instituti i Vetizoluar”, është produkt i një pune njëvjeçare, duke treguar kështu edhe disa probleme të Institutit Albanologjik.
Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i Integra-s, Kushtrim Koliqi, tha se përmes të gjeturave që i kanë prezantuar, Instituti Albanologjik është tejet i izoluar.
“Instituti i Vetizoluar”, vlerësim i shoqërisë civile për Institutin Albanologjik të Prishtinës, vjen pas publikimit të raportit “Kriza në Akademi: vlerësim i shoqërisë civile për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës”, që ka pasqyruar gjendjen në ASHAK, e cila është përcjellë me mjaft zhurmë.




