Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thote se Forcat e Armatosura po përdoren për qëllime politike, duke i angazhuar për ndërprerjen e sinjalit të “News24” dhe sekuestrimin e dosjeve investigative, në vend që t’i përdorë për të shuar zjarret që kanë përfshirë vendin.
“Në vend të angazhojë ushtrinë për të shuar flakët, e përdor për t’i fikur sinjalin dhe për të grabitur zyrat e dosjet investigative të NEWS 24”, shkruan Meta në Facebook.
Ai akuzoi qeverinë se në 12 vite nuk ka marrë masa efektive për mbrojtjen nga flakët, por përkundrazi ka shkatërruar edhe agjencitë për mbrojtjen e pyjeve dhe pronave, duke lejuar plaçkitjen, prerjen dhe kontrabandën e pyjeve nga deputetë dhe zyrtarë të lartë.
Reagimi i Metes
Zjarrvënësi i vërtetë i Shqipërisë është Edi Rama.
Në 12 vite në pushtet i pati të gjitha mundësitë për të marrë masa efektive parandaluese për mbrojtjen nga zjarret, por bëri të kundërtën.
Pyjet, kjo pasuri kombëtare, nuk kanë qenë kurrë prioritet i tij, por objekt i plaçkitjes, prerjes dhe kontrabandës nga deputetë dhe qeveritarë të tij.
Nuk shpenzoi asnjë cent për të blerë avionë zjarrfikës si Maqedonia e Veriut, por djeg çdo vit qindra milion euro për inceneratorë që nuk ekzistojnë, koncesione dhe “tigra” lundrues (TEC-e), që vetëm energji elektrike nuk prodhojnë.
Në vend të angazhojë ushtrinë për të shuar flakët, e përdor për t’i fikur sinjalin dhe për të grabitur zyrat e dosjet investigative të NEWS 24.
Qytetarët janë braktisur pa mëshirë mes zjarreve ndërsa Rama shullehet në plazh, ndaj çdo propagandë e justifikim vetëm sa provon përgjegjësitë shumë të rënda penale dhe politike të kësaj Narkoqeverie.
Le të shpresojmë që te “Syri i Kaltër”, flakët, që përpinë këtë perlë të papërsëritshme të natyrës shqiptare të mos jenë preludi i ndërtimit të resortit të radhës për ndonjë oligark ose klient “strategjik” të Qeverisë.