Ish Presidenti i Republikës, Ilir Meta përmes avokatit të tij Kujtim Cakrani ka depozituar një kërkesë në GJKKO që lidhet me mënyrën e paraqitjes së tij në sallën e gjyqit, ku sipas mbrojtjes ai është vendosur në një kabinë xhami ose strukturë metalike izolimi.
Sipas dokumentit të paraqitur në gjykatë, mbrojtja i kërkon trupit gjykues konstatimin e shkeljes së të drejtave kushtetuese për shkak të vendosjes së Ilir Metës në kabinë xhami/kafaz hekuri.
Meta kërkon që gjatë seancave ai të vendoset pranë avokatit, pa barriera fizike, gjatë gjithë procesit gjyqësor.
Në kërkesën e dorëzuar, mbrojtja pretendon se vendosja e të pandehurit në kabinë të mbyllur cënon nenin 3 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, që ndalon trajtimin çnjerëzor dhe poshtërues.
Mbrojtja pretendon se pamundësohet komunikimi i lirë dhe konfidencial me avokatin, çka sipas tyre cenon nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ, të drejtën për mbrojtje efektive.
Më tej, theksohet se paraqitja e tij në kabinë ndikon negativisht në prezumimin e pafajësisë. Sipas mbrojtjes, trajtimi i tillë është në kundërshtim edhe me rekomandimet e Komitetit Evropian Kundër Torturës, i cili ka kritikuar përdorimin e kafazeve dhe ndarjeve të mbyllura në sallat gjyqësore.



