Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) nisur hetimin disiplinor ndaj magjistrates Irena Gjoka, gjyqtare pranë Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), pas një ankese të paraqitur nga Adriana Kalaja.
Sipas njoftimit zyrtar, ILD thotë se ka shqyrtuar ankesën e regjistruar dhe ka arritur në konkluzionin se ekzistojnë dyshime të arsyeshme se gjyqtarja mund të ketë kryer veprime për shkelje disiplinore.
Në këto kushte, ILD sqaron se ka vendosur nisjen e hetimit disiplinor me iniciativë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe me nismën e ankueses.
Kujtojmë që edhe SPAK, ka regjistruar procedim penal pas një kallëzimi të depozituar nga Adriana Kalaja ndaj gjyqtares Irena Gjoka, për fshehjen nga formulari i vetëdeklarimit të pastërtisë së figurës të një dënimi penal të dhënë nga drejtësia greke për falsifikimin e një pasaporte dhe një vize në mesin e viteve 2000.
Gjyqtarja Gjoka e ka kaluar më herët procesin e vetingut, pasi KPK nuk gjeti probleme që do të çonin në shkarkimin e saj. Komisioneri Publik fillimisht e ankimoi vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, por gjatë procesit u tërhoq nga ankimi, prej nga mbeti në fuqi vendimi i konfirmimit.
Akuzat ndaj Gjokës u bënë publike pasi ajo firmosi masat e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha në lidhje me dosjen “Partizani”. Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë akuzuar vazhdimisht Gjokën, duke pretenduar se ajo është në konflikt interesi dhe se ka fshehur të kaluarën e saj, përfshi dënimin penal në Greqi. Për këto akuza, Berisha ka publikuar edhe dokumente, që sipas tij vërtetojnë dënimin.


