Administratori i inceneratorit të Fierit, Loran Dusha, është arrestuar në Zimbabve të Afrikës së Jugut, pas një urdhërkërkimi ndërkombëtar për korrupsion dhe pastrim parash.
42-vjeçari Dusha ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare që prej vitit 2022, kur GJKKO vendosi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”. Ai akuzohet për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, të kryera në bashkëpunim.
Sipas hetimeve, Dusha, në cilësinë e administratorit të një kompanie private të përfshirë në menaxhimin e inceneratorit të Fierit, dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme fonde publike, duke përdorur fatura dhe pagesa fiktive për punë dhe shërbime që nuk janë kryer në realitet.
Pas arrestimit në Zimbabve dhe ekstradimit të tij në Shqipëri, Loran Dusha është dorëzuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ku do të vijojë të përballet me drejtësinë.
Njoftimi i policisë
Vijon operacioni policor ndërkombëtar “The Wanted”.
Falë bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol Tiranës dhe Interpol Harare, u bë e mundur lokalizimi, kapja dhe ekstradimi nga Zimbabve, shtet në Afrikën Jugore, i shtetasit shqiptar L.D, 42 vjeç, lindur në Lushnjë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në vitin 2022, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, të kryera në bashkëpunim.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi L. D., në cilësinë e administratorit të një kompanie private, ka përfituar fonde publike në mënyrë të paligjshme, përmes faturave dhe pagesave fiktive, për punë dhe shërbime të pakryera.
Pas mbërritjes në Shqipëri, 42-vjeçari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Policia e Shtetit është maksimalisht e angazhuar në bashkëpunimin ndërkombëtar për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve shqiptarë që fshihen jashtë vendit, me qëllim shmangien nga drejtësia.