Një 22-vjeçar është vënë në prangat e policisë, pasi akuzohet për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.
I arrestuari, Redion Sefa, me inicialet R.S, banues në Krujë, ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Durrësit i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për këtë vepër penale. Sefa akuzohet se ka krijuar skema mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar.
Njoftimi i policisë
DVP Durrës/Vijon operacioni policor i koduar “Skema”, kapet dhe vihet në pranga 1 tjetër shtetas i shpallur në kërkim.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare kapën dhe ndaluan shtetasin R. S., 22 vjeç, banues në Krujë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Durrësit, në vijim të hetimeve të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Skema”, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.
Hetimet e kryera në kuadër të këtij operacioni identifikuan 7 shtetas, të cilët deklaronin të dhëna financiare fiktive të subjekteve që administronin apo ku ishin të punësuar, për të shmangur detyrimet tatimore. Shtetasi R. S. dhe 3 shtetas të tjerë, administratorë të disa subjekteve, në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë, të punësuar në këto subjekte, kanë mashtruar për të ardhurat/shpenzimet e deklaruara, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore. Kjo veprimtari kriminale dyshohet t’i ketë sjellë shtetit, rreth 3 milionë euro dëm ekonomik.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.