Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të enjten më 5 mars, vendimin për shkarkimin nga detyra të ish-drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, i cili gjendet në parburgim prej korrikut të vitit 2024, kur u arrestua për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm në disa çështje, përfshi dhe atë të njohur si “Toyota Auris”.
Prokurori Aurel Zarka u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit një muaj para se të arrestohej, pas një seance dëgjimore të shkurtër në të cilën nuk u vunë në dukje probleme që mund ta cenonin atë.
Pas arrestimit, vendimi i KPK u ankimua nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, bazuar në një rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, duke u ngritur shkaqe në të tre kriteret e rivlerësimit. Edhe drejtuesi i SPAK, u qëndroi shkaqeve të ankimit dhe kërkoi në përfundim shkarkimin e Zarkës për cënim të besimit të publikut, ndërsa përfaqësuesi i tij ligjor, avokati Julian Mërtiri e cilësoi të parakohshëm vlerësimin e figurës bazuar në të dhënat e çështjes penale në ngarkim të subjektit.
Mërtiri argumentoi se kërkimi i drejtuesit të SPAK bazohej vetëm në të dhënat e çështjes penale ndaj Zarkës, që është ende në gjykim dhe nuk ka ndonjë vendim. Mërtiri deklaroi se subjekti kërkonte pafajësi dhe konfirmin në detyrë.
Gjatë shpalljes së vendimit të enjten, Kolegji konstatoi se subjekti rezulton në pamundësi për blerjen e një apartamenti e dy grazheve, si burim krijimi të cilave ka shërbyer kursimet e babait të tij të ndjerë, të deklaruara se janë përfituar nga puna në emigracion, para fillimit të detyrës si prokuror.
Sipas KPA, nuk janë provuar të ardhurat e babait në emigracion. Po ashtu, u konstatua se të ardhurat nga shitja e këtyre pasurive kanë shërbyer për krijimin e likujditeve. Kolegji solli në vëmendje dhe faktin se Zarka ka blerë një apartament më lirë nga sa e kishte blerë shitësi dhe e ka shitur pak kohë më vonë sa dyfishi i çmimit të blerjes.
Për figurën, Kolegji bëri me dije se, pas studimit të të dhënave të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, AKSIK lidhur me figurën, ndan të njëjtin qëndrim me drejtuesin e SPAK, për t’i konsideruar ato në vlerësimin tërësor së bashku me gjetjet në aspektin profesional.
Sipas KPA, në një procedim penal të vitit 2019 konstatohen mangësi profesionale, por ato nuk janë gjetur të mjaftueshme për shkarkim e për rrjedhojë janë konsideruar në vlerësimin tërësor.
Lidhur me mosfillimin e një procedimi penal, KPA ndan të njëjtin qëndrim me drejtuesin e SPAK, se gjetjet kanë lidhje me çështjet që referohen dhe në raportin e AKSIK, që në përfundim ka konkluduar për papërshtatshmëri.
Kryesuesja e trupit gjykues të Kolegjit, gjyqtarja Natasha Mulaj konstatoi se ka përfshirje sistematike të Zarkës në komunikime të koduara, për të cilat Gjykata e Posaçme ka konkluduar se ato të dhëna janë të lidhura me njëra-tjetrën. Nga ana tjetër, ajo vërejti se mbrojtësi ligjor i Zarkës nuk ngriti pretendime për pavlefshmëri e papërdorshmëri të atyre akteve.
Sipas Kolegjit, pavarësisht nëse këto komunikime përbëjnë ose jo vepër penale, ato janë të papërshtatshme e të mjaftueshme për të cënuar figurën e magjistratit, si dhe përshtatshmërinë e tij, etikën e rregullat e sjelljes që duhet të ketë një prokuror.
Ndërkohë, u gjetën të pabazuara pretendimet se shqyrtimi rrethanave lidhur me të dhëna për të cilat nuk ka një vendim përfundimtar, cënojnë procesin e rregullt ligjor.
Në përfundim, Kolegji vlerëson se gjetjet e konstatuara në të tre kriteret, dëmtojnë rëndë besimin e publikut dhe se për rrjedhojë, prokurori Aurel Zarka gjendet i papërshtatshëm për të vijuar detyrën. Bazuar në këto arsyetime, KPA vendosi ndryshimin e vendimit të KPK dhe shkarkimin nga detyra të Aurel Zarkës.
Njoftimi:
Trupi gjykues i Kolegji i Posaçëm i Apelimit shpalli sot vendimin për çështjen (JR) 42/2024, datë 28.10.2024, që lidhet me ankimin e Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 779, datë 28.06.2024 të Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për subjektin e rivlerësimit Aurel Zarka.
Trupi gjykues përbëhej nga kryesuesja Natasha Mulaj, relatorja Mimoza Tasi dhe anëtarët Albana Shtylla, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo.
Në përfundim të gjykimit, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, trupi gjykues vendosi në mënyrë unanime:
Ndryshimin e vendimit nr. 779, datë 28.06.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Aurel Zarka.
Vendimi është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
DËNIMI NGA GJKKO
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli më 20 maj 2025 vendimin për deklarimin fajtor të ish-kreut të Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm në çështjet penale që lidhen me dosjen e quajtur “Toyota Auris” të hetuar në Tiranë, si dhe në çështje të tjera penale të prokurorisë që ai drejtonte.
Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Bib Ndreca dhe Rudina Palloj, vendosi dënimin e Zarkës me 4 vjet burg dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, u caktua masa përfundimtare me 2 vjet e 8 muaj heqje lirie.
Po ashtu, u caktua edhe dënimi plotësues për heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vjet. Sipas gjykatës, Zarka është fajtor për korrupsion aktiv dhe pasiv në 2 raste dhe në tre raste të tjera për ushtrim ndikimi të paligjshëm.
Prokurori i çështjes asokohe, Klodian Braho (tashmë kreu i SPAK) kërkoi më 15 prill 2025 dënimin e Zarkës me 4 vjet e 6 muaj burgim dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, masën përfundimtare me 3 vjet heqje lirie.
Dosja penale në ngarkim të Zarkës, ish-oficeres së policisë gjyqësore, Eriona Daupaj, avokatit Radovan Çela dhe biznesmenit Astrit Vladi, u dërgua për gjykim në fillim të muajit janar 2025, ndërkohë që u nda çështja për të hetuar në vijim prokurorët, gjyqtarët apo funksionarët e tjerë të drejtësisë që dyshohet se lehtësuan akuzat për këto dosje.
Hetimet ndaj Zarkës dhe të pandehurve të tjerë u nisën bazuar në të dhënat e administruara nga aplikacionet SKY ECC. Nga katër të pandehurit, fillimisht u ndalua vetëm prokurori Zarka dhe për ketë arsye gjykimi i tij u krye veçmas. Avokati Radovan Çela u vetëdorëzua, ndërsa dy të pandehurit e tjerë janë ende në arrati.
Sipas prokurorisë, u provua fakti se katër të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë; sipas episodeve dhe akuzave respektive për secilin prej tyre.
Në vitet 2019 – 2020 kur janë kryer veprimet e kundraligjshme, Zarka ka qenë në funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Vlorës, e pandehura Eriona Daupaj ka qenë oficere e policisë gjyqësore në ish-Prokurorinë e Krime të Rënda dhe më pas në SPAK, ndërsa i pandehuri Radovan Çela ka qenë në cilësinë e mbrojtësit të shtetasit Alfred Vladi në çështjen “Toyota Auris”, procedim që u regjistrua pas bllokimit në portin e Durrësit në qershor të vitit 2018 të 3.4 milionë eurove të thata të fshehura në dy makina të përdorura dhe të importuara nga Belgjika.
DOSJA E SPAK PËR TOYOTA AURIS
Sipas SPAK, është provuar se të pandehurit Astrit Vladi (kushëri i Elvis Vladit i dënuar për 3.4 mln euro të gjetura në makinën Toyota Yaris), Radovan Çela, Eriona Daupaj dhe Aurel Zarka në bashkëpunim me njëri tjetrin, në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë, kanë pranuar premtime dhe përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim të paligjshëm te funksionarë të drejtësisë, kanë ofruar përfitime të parregullta për funksionarë të drejtësisë, si dhe kanë kërkuar përfitime të parregullta për të kryer veprime të lidhura me funksionin dhe detyrën e tyre, sipas episodeve dhe akuzave respektive, për secilin prej tyre.
Prokuroria e Posaçme njoftoi më 4 Janar se është vendosur ndarja e çështjes penale dhe veçimi i akteve në lidhje me një sërë komunikimesh të kryera nga të pandehurit.
Konkretisht, nga aktet e këtij proçedimi penal janë veçuar aktet dhe janë rregjistruar proçedimet penale:
Së pari, është vendosur ndarja dhe veçimi i akteve në lidhje me bisedat e kryera nga të pandehurit dhe personat e tjerë të administruara gjatë hetimeve, në përmbajtjen e të cilave përmënden persona të tjerë në cilësinë e prokurorëve, gjyqtarëve, funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë, për të cilët pretendohet se kanë kërkuar apo kanë marrë përfitime të parregullta.
Së dyti, është vendosur ndarja dhe veçimi i akteve në lidhje me bisedat dhe komunikimet që janë administruar gjatë hetimeve, nga të cilat ekzistojnë të dhëna se edhe persona të tjerë mundet të kenë kryer ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që kanë ushtruar funksionin e prokurorit, gjyqtarit apo funksionarëve të organeve të tjera të drejtësisë.
Së treti, është vendosur ndarja dhe veçimi i akteve pasi nga burimet e provave të mbledhura gjatë hetimeve për këtë procedim penal janë krijuar të dhëna dhe dyshime se mundet të jenë kryer veprime që përmbajnë elementët e veprave penale të tjera.


