Aleks Ndreka, i njohur ndryshe me nofkën “Leksi i Druve”, është njohur me masën e sigurisë “arrest në burg” dy ditë pas ekstradimit të tij nga Italia.
Gazetarja Klodiana Lala bën me dije se gjatë seancës për komunikimin e masës, Ndreka nuk ka paraqitur pretendime para gjykatës, ndërsa mbrojtja e tij ka bërë me dije se vendimi do të ankimohet në vijim.
Ndreka ishte shpallur në kërkim në kuadër të dosjes së njohur si “Metamorfoza”, pasi dyshohet për sigurim të kushteve për kryerjen e vrasjes së tre personave në vitin 2017.
Sipas Policisë së Shtetit, “Aleks Ndreka, alias Aleks Doda, pasi ka siguruar informacion mbi vendndodhjen e tre shtetasve shqiptarë, ka organizuar dhe koordinuar bashkëpunëtorët e tij, duke ngritur prita me qëllim eliminimin e tyre”.
Aleks Ndreka njihet gjithashtu si kundërshtar i ish-deputetit socialist Arben Ndoka. Sipas SPAK, ky i fundit, në bashkëpunim me nipin e tij Samuel Ndoka, dhëndrin Arjan Tuku dhe Vinsent Tuku, dyshohet se kanë tentuar vrasjen e Ndrekës.


