Shaban Dedej, një i moshuar nga fshati Konjat në Lushnje, vuan prej 5 vitesh nga sëmundja e Parkinsonit dhe tashmë është në një gjendje të rënduar shëndetësore.
Ai qëndron i shtrirë në shtrat dhe nuk është më në gjendje të kujdeset për veten, duke pasur nevojë të vazhdueshme për ndihmën e familjarëve.
Djali i tij, Ardjani, ka kërkuar zyrtarisht të marrë kujdestarinë ligjore të babait për të përfituar ndihmën ekonomike që u takon sipas ligjit.
Por, pavarësisht diagnozës së qartë të vendosur nga një mjek specialist neurolog në QSUT, kërkesa e tij është refuzuar.
“Babai im vuan nga Parkinsoni që prej pesë vitesh. Në fillim ecte me paterica, ndërsa tani nuk lëviz më fare nga krevati.
Kam nevojë për ndihmë, sepse unë dhe familja ime po përballemi të vetëm me të gjithë këtë barrë. Mjekja në QSUT më tha “wshtë babai yt, duhet të kujdesesh për të’,- thotë Ardjani për emisionin “Tak Fak”.
Gazetarja Anxhela Gjiriti e emisionit investigativ “Tak Fak” ka vizituar banesën e familjes Dedej dhe ka parë nga afër gjendjen në të cilën ndodhet i moshuari Shaban Dedej.
Pamjet tregojnë një të moshuar të paralizuar, që nuk mund të lëvizë dhe që ka nevojë për tre persona për t’u ngritur nga krevati.
Mjeku i familjes në fshatin Konjat konfirmon se dokumentacioni i nevojshëm është plotësuar dhe se familjes i takon kujdestaria që para pesë vitesh.
“Unë e kam dërguar pacientin te mjeku specialist. Për mua, familjarëve u takon kujdestaria. Dokumentet i kam plotësuar, por në Tiranë nuk janë pranuar”, – shprehet ai.