Arjon Hasaj ka pranuar plotësisht se është ai autori i vrasjes së Ramazan Mataj, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 4 janarit në fshatin Dragoç të Postribës.
Hasaj ka deklaruar për policinë e Shkodrës se është ai që ka qëlluar me armë zjarri 33-vjeçarin Mataj, duke marrë përsipër krimin e rëndë.
Sipas burimeve, Arjon Hasaj ka shpjeguar se vrasja ka ndodhur për shkak të një lidhje që viktima kishte me motrën e tij, lidhje që ka zgjatur për gati 6 vjet.
Ai ka pohuar se Ramazani ishte personi që ka shkaktuar prishjen e dy martesa të motrës së tij dhe ka shpërndarë video intime të saj me ish-burrin e dytë dhe të tjerë në fshat.
Për hakmarrje, Arjoni ka krijuar një llogari false në Instagram, ku ka ftuar Ramazanin në një takim, dhe më pas e ka qëlluar me armë.
Në deklaratën e tij, Hasaj ka thënë: “Unë jam personi që e kam vrarë shtetasin Ramazan Mataj. Prej 6 vitesh ai kishte një lidhje me motrën tonë dhe ka shkatërruar dy martesa të saj. Ai shpërndau video intime të motrës dhe nuk mund ta duronim më këtë. Unë i lashë një takim dhe e vrava me armë zjarri.”
Pas krimit, Arjoni ka fshehur armën në një distancë prej vendit të ngjarjes dhe ka ikur me biçikletë drejt shtëpisë. Policia ka arritur të identifikojë se arma e krimit ishte ruajtur prej disa kohësh në shtëpinë e autorit, ndërsa më pas është groposur në oborrin e shtëpisë për siguri.
Në lidhje me ngjarjen, vëllai i autorit, Klisman Hasaj, i dyshuar për sigurimin e kushteve për realizimin e vrasjes dhe fshehjen e armës, ka mohuar çdo lidhje me krimin. Ai ka deklaruar: “Nuk kam pasur asnjë dijeni për veprimet e vëllait tim dhe nuk kam lidhje me këtë ngjarje.”