Gazetari Ferdinand Dervishi, ka zbuluar ‘fatin’ e shumave të mëdha të kriptomonedhave të Ervis Martinajt, i cili është zhdukur pas lënë asnjë gjurmë që prej gushtit të vitit 2022.
Në “Opinion”, Dervishi deklaroi se Martinaj ka pasur një sasi shumë të madhe parash në kriptomonedha, por në momentin ku sipas tij ai është kapur, i është hapur celulari dhe i janë marrë të gjitha kriptomonedhat.
Dervishi theksoi se kriminelët në Shqipëri një sasi të madhe të parave janë duke e ruajtur në kriptomonedha, por punojnë me cash.
“Një detaj tjetër, në bazë të informacioneve që më vijnë mua. Ervis Martinaj në momentin që është kapur i është hapur celulari dhe ka pasur një sasi shumë të madhe të hollash të konvertuar në kriptomonedhë. Pëshpëritet që ia kanë përvetësuar edhe këtë shumë të madhe.
Në dijeninë time, krimi, sidomos bandat e vjetra, dhe ata kryetarë bandash që kanë bërë lekë në Shqipëri, një sasi të madhe të lekëve, e kanë kthyer në kriptomonedha.Kjo e Çopjave ta provon. 10 milionë u kapën në kriptomonedha, 130 u kapën cash.
E shikon distancën se ku është? Po në dijeninë time ata i mbajnë aty, nuk është se punojnë me to. Së shumti punojnë me cash”, tha Dervishi, teksa më tej u ndal dhe te politikanët për të cilët thanë se të gjitha paratë që u bien nëpër duar i blejnë bizhuteri.
“Politikanët blejnë bizhuteri, pafund. U bien në dorë të themi 50 mijë euro dhe i bëjnë direkt bizhuteri të shtrenjta”, tha gazetari.