Policia e Mirditës ka arrestuar dy shtetas, një 45-vjeçar dhe një 25-vjeçar, pasi i bllokuan rrugën një makine me pretendimin se po kryenin veprimtari të paligjshme, blerje votash. Arrestimi u bë për ‘pengimin e qarkullimit të mjeteve’, ‘drejtimin e automjeteve në mënyrë të parregullt’, ‘vetëgjyqësinë’ dhe ‘kanosjen ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje’.
Sipas njoftimit të policisë, më datë 10 maj 2025, rreth orës 20:20, shtetasit L. N., 45 vjeç dhe A. J., 25 vjeç, bllokuan rrugën për automjetin që drejtohej nga shtetasi R. K., 46 vjeç, dhe A. D. (pasagjer). Ata pretenduan se ata po kryenin veprimtari të lidhura me blerjen e votave. Pas ngjarjes, policia reagoi menjëherë, duke ndërhyrë në vendin e ngjarjes dhe duke shoqëruar palët në Komisariat për hetime të mëtejshme.
Gjatë kontrollit të automjeteve të dy të arrestuarve, policia gjeti dhe sekuestruar lista me të dhëna personash, të dyshuara si lista zgjedhësish, ndërkohë që nuk u gjetën sende të kundërligjshme në automjetin e shtetasit R. K. Gjithashtu, pas testit të alkoolit, rezultoi se shtetasi L. N. drejtonte automjetin në gjendje të dehur, ndërsa dy drejtuesit e tjerë nuk kishin konsumuar alkool.
Materialet e procedurës iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Lezhës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Mirditë kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
-L. N., 45 vjeç, banues në Mirditë për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”
-A. J., 25 vjeç, banues në Mirditë, për veprat penale “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 10.05.2025, rreth orës 20:20, këta shtetas me dy automjetet e tyre i kanë bllokuar rrugën automjetit që drejtohej nga shtetasi R. K., 46 vjeç (drejtues automjeti) dhe A. D. (pasagjer), të dy banues në Rrëshen, me pretendimin se këta shtetas po kryenin veprimtarinë e blerjes së votave.
Shërbimet e Policisë, menjeherë pas marrjes së njoftimit për bllokimin e rrugës në lagjen “Donaj” në Rrëshen dhe konfliktin verbal mes këtyre shtetasve, kanë ndërhyrë, duke shoqëruar palët në Komisariat dhe kanë kryer veprimet hetimore nën drejtimin e Prokurorisë.
Në vijim të veprimeve të kryera, pas kontrollit të ushtruar në automjetet e tyre, konkretisht në automjetet e shtetasve L. N. dhe A. J., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale lista me të dhëna personash (të dyshuara si lista zgjedhësish), ndërsa në automjetin e shtetasit R. K. nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm.
Gjithashtu, po në vijim të veprimeve pas kryerjes së testit të alkoolit të tre drejtuesve të automjeteve rezultoi se shtetasi L.N., drejtonte automjetin në gjendje të dehur, ndrësa dy drejtuesit e automjeteve të tjera rezultuan se nuk kishin konsumuar alkool.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.