Një 39-vjeçar gjerman është ndaluar nga shërbimet e Policisë Kufitare në Pikën e Kalimit Kufitar Muriqan, ndërsa tentonte të largohej nga territori shqiptar. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet zvicerane për disa vepra të rënda penale.
Policia bën me dije se arrestimi i tij u bë i mundur falë kontrolleve të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit mes Policisë Kufitare dhe Interpol Tiranës.
I ndaluari, shtetasi P. P., 39 vjeç, me banim në Zvicër, ishte në kërkim nga Prokuroria e Luganos, e cila më 23 maj 2025 kishte lëshuar ndaj tij një urdhër arresti ndërkombëtar për veprat penale: Trafik droge, Pastrim parash, dhe Emigracion i paligjshëm.
Ndaj tij kanë nisur procedurat për ekstradim drejt Zvicrës, ku do të përballet me drejtësinë. Interpol Tirana po bashkëpunon ngushtësisht me Interpol Bern për finalizimin e procesit.
Njoftimi i policisë
PKK Muriqan
Kapet nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Zvicër, 1 shtetas gjerman i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Muriqan, si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe i shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë kapur në dalje të RSh-së, shtetasin gjerman P. P., 39 vjeç, banues në Zvicër.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Prokuroria e Luganos, më datë 23.05.2025, ka lëshuar urdhër arresti ndaj tij, për veprat penale “Trafik droge”, “ Pastrim parash”dhe “Emigracioni i paligjshëm”.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Bern, do të kryejë procedurat për ekstradimin e 39-vjeçarit, në Zvicër.