I dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, ka biseduar me familjet e pengjeve izraelite në Gaza dhe u ka premtuar atyre se lufta do të ndalet së shpejti.
Sipas një regjistrimi të bisedës që ka siguruar Reuters, Witkoff ka thënë se “po punohet aktivisht për një plan rindërtimi të Gazës, i cili do ta përfundojë në mënyrë efektive luftën.”
Witkoff shtoi gjithashtu se “Hamas është i gatshëm të dorëzojë armët”, ndonëse kjo organizatë palestineze ka deklaruar në disa raste se nuk do të çarmatoset.
Më saktësisht, Hamas ka thënë se do të heqë dorë nga armët vetëm nëse krijohet një shtet palestinez plotësisht sovran, me Jerusalemin si kryeqytet.
Witkoff, i cili arriti në Izrael në një kohë kur qeveria e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahut po përballet me kritika ndërkombëtare për shkatërrimet në Gaza dhe për urinë në rritje mes 2.2 milionë banorëve të saj, u takua të enjten me kryeministrin izraelit.
Pas takimit, një zyrtar i lartë izraelit deklaroi se po afrohet një mirëkuptim mes Izraelit dhe Uashingtonit për të kaluar nga një plan për lirimin e një pjese të pengjeve, në një plan për lirimin e të gjitha pengjeve, çarmatosjen e Hamasit dhe demilitarizimin e Gazës – që përfaqësojnë kërkesat kryesore të Izraelit për t’i dhënë fund luftës.
Të martën, Katari dhe Egjipti – ndërmjetës në përpjekjet për armëpushim – mbështetën një deklaratë të Francës dhe Arabisë Saudite, që përcakton hapat drejt një zgjidhjeje me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez.
Sipas këtij plani, thuhet se Hamas duhet t’ia dorëzojë armët Autoritetit Palestinez të mbështetur nga Perëndimi.
Të premten, Witkoff vizitoi një operacion ndihme në jug të Gazës të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, i cili është kritikuar pjesërisht nga Kombet e Bashkuara për kushtet vdekjeprurëse në enklavë, duke deklaruar se qëllimi i tij ishte të shpërndante ushqim dhe ndihma të tjera për banorët e zonës.
Dhjetëra njerëz kanë vdekur nga kequshqyerja javët e fundit, pasi Izraeli ndaloi të gjitha furnizimet në enklavë për gati tre muaj – nga marsi deri në maj – sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.
Izraeli fajëson Hamasin për vuajtjet në Gaza dhe pretendon se po ndërmerr hapa për të mundësuar më shumë ndihmë për popullatën atje, duke përfshirë ndërprerje të luftimeve gjatë një pjese të ditës në disa zona, hedhje ajrore ndihmash dhe shpalljen e korridoreve të mbrojtura për autokolonat me ndihma. /Telegrafi/