Operacioni i koduar “Fortesa” ka çuar në sekuestrimin e pasurive me vlerë rreth 26.5 milionë euro, në pronësi të një shtetasi 45 vjeç, i cili rezulton i dënuar në Itali për vrasje me paramendim dhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal për trafikim droge.
Sipas Policisë së Shtetit, bëhet fjalë për shtetasin Kristian Koni, i njohur edhe me emrin O. M., për të cilin Gjykata e Tiranës ka vendosur sekuestrimin e pasurive në kuadër të një procedimi penal për pastrim parash, i drejtuar nga Prokuroria e Tiranës.
Çfarë përfshihet në sekuestrim:
19 prona të paluajtshme (apartamente, njësi, troje)
2 automjete luksoze
20 llogari bankare, të regjistruara në emër të tij dhe të familjarëve
Vlera e përgjithshme e pasurive të sekuestruara kap shifrën e 26.5 milionë eurove në treg.
Autoritetet thonë se vijojnë hetimet për identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera, që dyshohet se kanë origjinë nga aktiviteti kriminal i këtij shtetasi, në Shqipëri dhe jashtë saj.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.