Gjykata e Lartë ka vendosur lirimin nga qelia të Kreshnik Farrukut, i akuzuar si drejtues i një grupi kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Arrestimi i Farrukut u bë mbrëmjen e 11 janarit, pasi ai kërkohej nga autoritetet italiane me qëllim ekstradimin, për llogari të një dosjeje ku ai dyshohet për trafikim të lëndëve narkotike.
Në dhjetor të vitit të kaluar, GJKKO vendosi konfiskimin e 27 pasurive në emër të dy personave: Kreshnik Budlla dhe Erneo Farruku, të cilat dyshohen se janë përfituar nga aktiviteti i paligjshëm i trafikut të drogës.
Kreshnik Budlla rezulton gjithashtu në kërkim nga autoritetet italiane që nga viti 2018, në bazë të një urdhërarresti europian për të njëjtën çështje që ishte hetuar nga policia spanjolle që prej vitit 2007. Ai konsiderohet si një nga liderët e rrezikshëm të një klani të trafikut të kokainës. Në atë kohë, ai ishte i dyshuar edhe për përfshirje në grabitjen e vilës së biznesmenit Jose Luis Moreno në Boadilla, Spanjë.
Kreshnik Farruku, i njohur edhe me mbiemrin Budlla, u arrestua disa vite më parë në një hotel në rrugën “Joan Maragall Chamartin”, pranë La Castellana në Spanjë. Në momentin e arrestimit, ai tentoi të identifikohej me dokumente spanjolle dhe shqiptare në emër të personave të tjerë. Policia më vonë zbuloi se ai kishte përdorur deri në 10 identitete të ndryshme për të shmangur kapjen.
Farruku dyshohet se është pjesë e klanit kriminal shqiptar të njohur si ‘Farruku’, një organizatë e përfshirë në vjedhje, trafik droge dhe krime të tjera. Burime nga grupi hetimor sqarojnë se ai ishte hetuar që në vitin 2007 për lidhje me grupin e shqiptarëve që sulmuan shtëpinë e biznesmenit Jose Luis Moreno, por nuk u arrestua për këtë ngjarje.
Policia dyshonte, ndonëse pa prova të mjaftueshme, se Farruku fshihej edhe pas vrasjes së shefit të tij më 21 janar 2010 në rrugën ‘Telemaco’ në Madrid. Pas kësaj ngjarjeje, ai dyshohet se mori drejtimin e organizatës kriminale. Hetimet çuan në përfundimin se autor i të shtënave ishte shtetasi shqiptar Devi Kasmi, i cili dyshohet se kishte vepruar me urdhër të Farrukut. Më vonë, Kasmi u kthye në Shqipëri, ku u vra në Tiranë në janar të vitit 2018.