Ky është 40-vjeçari Elkjer Tafciu, autor i grabitjes së supermarketit në zonën e Yzberishtit në Tiranë.
Ai u vu në pranga nga policia pasi dje, nën kërcënimin e thikës dhe i maskuar hyri brenda supermarketit, dëmtoi me thikë kasieren dhe arriti të merrte xhiron ditore në kasë, rreth 90 mijë lekë të reja.
Autori, sipas policisë, rezulton me precedentë të mëparshëm penalë për vjedhje me dhunë. Kasierja mbeti e dëmtuar në dorë gjatë tentativës për ta ndaluar autorin.
Njoftimi i policisë:
Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 40-vjeçari që vodhi një shumë parash dje, në një market në Yzberisht, duke kanosur punonjësen, me thikë.
I arrestuari, me precendent penal për vjedhje me dhunë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të veprimeve intensive hetimore të kryera për zbardhjen e vjedhjes së kryer dje, në kërcënimin e thikës, në një market në Yzberisht, organizuan dhe finalizuan operacionin policor “Intervent”.
Si rezultat i operacionit u identifikua, u kap në Rrugën e Qelqit dhe u vu në pranga autori i dyshuar i vjedhjes, shtetasi E. T.(T), 40 vjeç, banues në Tiranë.
Punonjësja e marketit që u dëmtua në dorë, nga thika që mbante autori, në tentativë për ta ndaluar atë, mori mjekim dhe u largua nga spitali.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


