Bashkia Shkodër ka reaguar pas ngjarjes tragjike ku kapiteni i anijes turistike, Arben Anamali, humbi jetën teksa tentoi të shpëtonte dy turistë që po rrezikonin të mbyteshin në liqenin e Shkodrës.
Në një mesazh ngushëllimi për familjen, institucioni vendor e cilëson aktin e tij si një shembull heroizmi dhe humanizmi, duke theksuar se Arbeni ka qenë një njeri i përkushtuar në shërbim të vizitorëve.
“Sot, Bashkia Shkodër humbi një nga njerëzit e saj më të përkushtuar, kapitenin e anijes turistike, Arben Anamali, i cili humbi jetën gjatë një akti heroik për të shpëtuar dy turistë që po rrezikoheshin të mbyteshin,” – thuhet në deklaratën zyrtare.
Ngjarja ndodhi rreth orës 16:32, kur Anamali u hodh në ujë për të ndihmuar dy turistë. Turistët u shpëtuan dhe ndodhen jashtë rrezikut, ndërsa trupi i 51-vjeçarit ende nuk është gjetur. Policia dhe grupet e kërkimit janë ende në terren.
Bashkia e cilëson Arbenin si një punonjës që dha gjithçka deri në momentin e fundit dhe i shpreh familjes Anamali ngushëllimet më të sinqerta në këtë moment të rëndë.
Reagimi i Bashkisë Shkodër
Sot, Bashkia Shkodër humbi një nga njerëzit e saj më të përkushtuar, kapitenin e anijes turistike, Arben Anamali, i cili humbi jetën gjatë një akti heroik për të shpëtuar dy turistë që po rrezikoheshin të mbyteshin në liqenin e Shkodrës.
Një akt humanizmi, por fatkeqësisht me një fund të hidhur. Arbeni ishte gjithmonë në shërbim të vizitorëve dhe turistëve, duke dhënë kontributin e tij me pasion dhe përkushtim deri në momentin e fundit të jetës.
Bashkia Shkodër shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Anamali në këtë moment të vështirë.