I riu që humbi jetën në një aksident tragjik mëngjesin e sotëm në Lushnjë, vetëm pak pas incidentit para Komisariatit dhe gjatë ndjekjes policore, rezulton se është vëllai i zv/ministres së Mjedisit, Elda Xhumari.
Policia vendore konfirmoi sot rrethanat dhe dinamikën e ngjarjes fatale ku humbi jetën 43-vjeçari Ernin Xhumari, 43 vjeç, nga Tirana.
Mësohet se ai është njëkohësisht vëllai i zyrtares së lartë, kurse motivet për shkakun pse ai ka krijuar shqetësimet para Komisariatit me lëvizje të çrregullta me makinën e tij “Benz Mercedes” dhe duke ulëritur, mbeten ende të panjohura.
Policia tha se duke e ndjekur Patrulla, te rrethrrotullimi i plasmasit, ai është përplasur me bordurën dhunshëm në shpejtësi, duke gjetur vdekjen. Më parë nuk i ishte përgjigjur thirrjes për ndalim teksa pa Patrullën dhe iku me mjetin e tij nga vendngjarja.
Hetimet janë ende aktive, për të zbardhur shkaqet dhe dinamikën e plotë, teksa po pyeten edhe efektivët e Patrullës dhe ata që Sallës Operative.
Njoftimi i Policisë Lushnjë:
“Rreth orës 01:45, punonjësit e sallës operative të Komisariatit të Policisë Lushnjë, nëpërmjet kamerave të sigurisë, kanë konstatuar përpara Komisariatit, një automjet tip “Mercedes-Benz”, duke kryer manovra të çrregullta, dhe më pas drejtuesi i automjetit ka dalë nga automjeti duke bërtitur para Komisariatit, veprim të cilin e ka përsëritur disa herë. Në këto kushte, salla operative ka njoftuar Patrullën e Përgjithshme që ishte me shërbim në qytet, për t’u afruar në Komisariat, me qëllim verifikimin e drejtuesit të automjetit dhe arsyen e sjelljeve të tij Drejtuesi i automjetit, sapo ka parë Patrullën e Përgjithshme që vinte drejt Komisariatit, është larguar me shpejtësi të madhe dhe pas disa minutash dyshohet se për shkak të shpejtësisë së madhe dhe humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga ana e drejtuesit, automjeti është përplasur me bordurat anësore të rrugës, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit” dhe është përmbysur. Si pasojë, drejtuesi i automjetit, shtetasi E. Xh., 43 vjeç, banues në Tiranë, ka humbur jetën. “Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit”, sqaroi policia.
Kush është Elda Xhumari, Zëvendësministrja e Mjedisit
Elda Xhumari mban postin e Zëvendësministres së Mjedisit që prej tetorit 2025.
Ajo është diplomuar në Shkenca Kompjuterike – Sistemet e Teknologjisë së Informacionit dhe më pas ka përfunduar dy programe Master në Universitetin Shtetëror të Voronezhit në Rusi: një në Sigurinë e Sistemeve të Informacionit dhe tjetrin në Ekonomi – Analizë Sasiore të Tregjeve Financiare. Në vitin 2021, ajo ka mbrojtur gradën “Doktor” në Informatikë, në fushën e rrjeteve neurale dhe inteligjencës artificiale.
Prej vitit 2015, Znj. Xhumari është pedagoge pranë Departamentin e Informatikës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës, ku zhvillon kërkime shkencore në fusha si administrimi dhe siguria e sistemeve të informacionit, rrjetet kompjuterike, Deep Learning, Blockchain, si dhe menaxhimi i projekteve në ICT.
Përveç karrierës universitare, ajo ka një përvojë të konsoliduar profesionale në projekte zhvillimore kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo ka shërbyer si:
Menaxhere risku pranë Fondin Shqiptar të Zhvillimit, ku ka ngritur dhe zbatuar mekanizmat e menaxhimit të riskut institucional për aktivitetin e organizatës.
Konsulente për institucione si UNDP, GIZ, Save the Children, PAP/RAC, Threls Ltd., IGEA, me fokus në transformimin digjital, sigurinë kibernetike dhe edukimin teknologjik, të dhënat gjeohapësinore dhe mjedisin.
Eksperte në hartimin e strategjive të transformimit digjital, platformave të informacionit dhe sistemeve të avancuara për menaxhimin e informacionit mjedisor.
Ajo ka marrë pjesë në programe kërkimore dhe mobilitete akademike në universitete të njohura në Poloni, Mbretërinë e Bashkuar, Holandë, Gjermani dhe vende të tjera të BE-së, duke përfaqësuar Shqipërinë në projekte shkencore dhe profesionale në fushën e teknologjisë dhe sigurisë së informacionit.
Xhumari zotëron certifikime të specializuara, përfshirë atë si auditues i brendshëm në sektorin publik. Ajo ka aftësi të shkëlqyera në gjuhën shqipe, angleze dhe ruse, si dhe njohuri të mira të gjuhës italiane.


