Gjykata e Tiranës ka liruar katër protestuesit e arrestuar pas protestës së Partisë Demokratike, të zhvilluar në 22 dhjetor përpara kryeministrisë.
Ndaj tyre gjykata caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, masë e cila ishte kërkuar edhe nga Prokurori.
Në mbështetje të protestuesve kishin shkuar edhe disa deputetë të Partisë Demokratike, mes tyre Klevis Balliu, Flamur Noka e Bledjon Nallbati.
Policia njoftoi një ditë më parë se kishte vënë në pranga 4 protestues pasi hodhën molotov dhe kundërshtuan uniformayt blu, 7 të tjerë u proceduan penalisht. Po ashtu, policia tha se kishte nisur hetim edhe për Ervin Minarollin, me detyrë sekretar organizativ i subjektit politik Partia Demokratike.
Nga protesta mbetën të lënduar tre punonjës policie, të cilët morën mjekim në spital, si edhe një simpatizant i opozitës që u përfshi nga flakët e lëndës djegëse.


