Në listën e urdhër-arresteve të lëshuara nga Prokuroria e Durrësit në kuadër të hetimeve për çështjen “Kurumi” përfshihet edhe Kledina Skëndo, punonjëse në Sektorin e Monitorimit të Lejeve Mjedisore pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM).
Burime bëjnë me dije se ndaj Skëndos është vendosur masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, në kuadër të të njëjtit procedim penal që ka çuar në lëshimin e disa urdhër-arresteve për zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lidhur me aktivitetin e kompanisë “Kurumi”.
Kledina Skëndo ka qenë gjithashtu kandidate për deputete e Partisë Socialiste, e renditur e 34-ta në listën e Tiranës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Hetimi i Prokurorisë së Durrësit lidhet me dyshimet për eksport të paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme nga kompania “Kurum International” në Elbasan. Gjatë periudhës 2020–2023, kompania ka prodhuar mijëra ton mbetje të klasifikuara si të rrezikshme, përfshirë hiri dhe pluhur metalurgjik nga oxhaqet, të cilat, sipas indicieve, janë eksportuar drejt vendeve të huaja pa dokumentacion të duhur dhe pa autorizime ligjore për transferim dhe eksportim.
Prokuroria ka sekuestruar dokumentacionin e kompanisë dhe materialet e lidhura me shitjen dhe eksportin e mbetjeve, për periudhën që shtrihet deri në vitin 2024, ndërsa hetimet përfshijnë edhe shkelje të mundshme të legjislacionit për mbrojtjen e mjedisit dhe trafikimi i mallrave të kufizuara.
Skandali u bë i njohur edhe kur kontejnerë me mbetje të dyshuara toksike, të nisur nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës, u ndaluan nga autoritetet ndërkombëtare, për shkak se përmbajtja e tyre nuk ishte raportuar saktë dhe nuk kishte leje eksporti të vlefshme.


