Prokuroria dhe Policia e Elbasanit kanë zhvilluar në orët e para të mëngjesit të së hënës një operacion të gjerë kontrollesh, në kuadër të hetimeve për inceneratorin e qytetit.
Bazuar në një vendim të Gjykatës së Elbasanit, janë ushtruar kontrolle në 14 banesa të personave të dyshuar për lidhje me çështjen.
Veprimet janë pjesë e procedimit penal nr. 1417, i regjistruar në vitin 2024 për veprën penale të “zjarrvënies”, pas një zjarri që përfshiu fushën e mbetjeve urbane në Elbasan.
Por hetimet e mëvonshme kanë nxjerrë në pah elementë të mundshëm të shpërdorimit të detyrës, duke zgjeruar objektin e procedimit penal, raporton gazetari Fatmir Popja.
Operacioni është shtrirë në gjithë qarkun e Elbasanit dhe ka pasur si qëllim grumbullimin e provave të reja për të zbardhur veprimtaritë e dyshimta që lidhen me ndërtimin, administrimin dhe funksionimin e inceneratorit.
Deri më tani, nuk është konfirmuar ndonjë ndalim apo masë tjetër ndaj të dyshuarve, ndërsa hetimet vijojnë me intensitet. Projekti i inceneratorit të Elbasanit mbetet në qendër të debatit publik, mes akuzave për abuzim me fondet publike dhe keqmenaxhim nga zyrtarë vendorë dhe qendrorë.