Pas kontrolleve të kryera me urdhër të SPAK në zyra, banesa dhe vila luksoze në jug të vendit në lidhje me hetimet që po kryhen për Belinda Ballukun, janë marrë në pyetje edhe personat që kanë qenë subjekt i këtyre kontrolleve.
Viola Haxhiademi, ish-sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Financave dhe aktualisht drejtoreshë e Korporatës Elektro-Energjitike Shqiptare, u paraqit të enjten në SPAK ku dha dëshminë e saj. Ajo konsiderohet një prej njerëzve më të besuar të ish-ministres dhe po hetohet për lidhje me tenderat e rrugëve.
Po ashtu shpjegime për hetuesit dha edhe Laureta Omeri, ish-këshilltare dhe një nga bashkëpunëtoret më të ngushta të Ballukut, e cila gjithashtu iu nënshtrua kontrolleve.
Biznesmeni Arbër Abazi, kompanitë e të cilit kanë fituar tendera pranë Ministrisë së Infrastrukturës, u paraqit një ditë më parë në Prokurori, ku dha shpjegime lidhur me dy procedura tenderuese.
Ndërsa Kujtim Hasa, i kompanisë “Rruga Ura” në Elbasan, iu dorëzoi hetuesve të BKH-së kompjuterë, që konsiderohen prova të vlefshme për hetimin. Gjatë ditëve të fundit, mësohet se në SPAK janë paraqitur edhe biznesmenë të tjerë, në kompanitë e të cilëve janë sekuestruar dokumente dhe kompjuterë.
Në mesin e personave që iu nënshtruan kontrolleve ishin edhe shoferi i ish-zv.kryeministres Balluku dhe pastrueset e shtëpisë së saj, të cilët u pyetën lidhur me banesat e ish-ministres dhe detaje të përditshmërisë së saj.


