Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ka marrë zyrtarisht të pandehur dy persona në lidhje me hetimet që po kryhen për tenderin e Aeroportit të Vlorës, raporton gazetarja Klodiana Lala.
Gazetarja citon burime që bëjnë me dije se dy personat e marrë të pandehur për shkelje të barazisë në tendera janë anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ndërsa vijojnë hetimet edhe për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Po ashtu gazetarja theksoi se ka dyshime të forta se në këtë aferë janë të përfshirë edhe zyrtarë të lartë.
“SPAK ka komunikuar akuzat e shkeljes së barazisë në tendera për dy anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave pasi janë gjetur shkelje ndërkohë që po vijon hetimi lidhur për vepra të tjera penale, thonë burimet për News24.
Hetimet janë duke vijuar dhe në vijim do të ketë edhe detaje të reja sa i përket zyrtarëve të lartë të përfshirë në këtë çështje se prokurorët kanë dyshime të forta se kompanitë fituese janë të paracaktuara dhe ka dyshime se janë të përfshirë zyrtarë të lartë. “, raportoi gazetarja Lala.


