Edhe pse ende Prokuroria e Posaçme nuk ka dhënë asnjë detaj që lidhet me nisjen e hetimeve për skandalin e tenderit të FSHZH-së, reagimet për këtë skandal vijojnë.
Është Partia Demokratike që ka reaguar në lidhje me skandalin e publikuar për kreun e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, ku me anë të një deklarate për mediat, deputetja Dhurata Çupi thotë se në vend që qeveria dhe Fondit Shqiptar i Zhvillimit të fokusoheshin te ndërtimi i infrastrukturës në fshatra, vëmendja ishte spostuar te krijimi i një menyje se çfarë duhej të servirej për të ngrënë në këto fshatra.
Deputetja e opozitës, në reagimin e saj, iu referua faktit se pak ditë më parë SPAK nisi verifikimet për kreun e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agollin, për tenderin prej 500 mijë dollarësh dhënë kuzhinierit që punon me djalin e tij për një meny për projektin e 100 fshatrave. Çupi ka publikuar pamjet nga rrugët e tri fshatrave që janë afër qendrës së kryeqytetit, ku sipas saj, nuk ka asnjë investim të ri.
“Ne inkurajojmë SPAK-un të çojë para drejtësisë çdo abuzues të taksave të shqiptarëve, faturat e të cilëve kanë bërë që shqiptarët të jenë ndër popujt më të varfër në rajon”, thotë deputetja e PD-së.
REAGIMI I DEPUTETES
Pak ditë më parë SPAK nisi verifikimet për kreun e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agollin, i cili i dha tenderin prej 500 mijë dollarësh kuzhinierit që punon me djalin e tij për një meny për projektin e 100 fshatrave, i cili kishte bërë edhe ofertën më të lartë. Në vend që qeveria dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit të fokusoheshin te ndërtimi i infrastrukturës, furnizimi me ujë të pijshëm, energji të pandërprerë, pastrim, restaurim objektesh të trashëgimisë kulturore dhe historike, vëmendja ishte te krijimi i një menyje se çfarë duhej të servirej për të ngrënë në këto fshatra.
“’Programi i 100 fshatrave turistike’, një projekt i trumbetuar nga Edi Rama, i cili startoi më 2018-ën e duhej të përmbyllej më 2020-ën, si çdo premtim tjetër i pambajtur i kësaj qeverie, tregoi se ishte vetëm për propagandë. Përmes këtij projekti, do të investohej ne infrastrukturë, ekonomi, investime në agroturizëm, rikonstruksion, monumente etj., por këto ide kanë mbetur në letër. Përveç tabelave të rrugëve që kushedi sa para janë paguar për to, në shumicën dërrmuese të fshatrave nuk ka pasur asnjë ndërhyrje. Rrugët janë të amortizuara dhe institucione kulturore nuk ka. Këto janë vetëm disa foto të tri fshatrave që janë afër qendrës së kryeqytetit, që lidhen me Rruga e Pëllumbasit në Tiranë, fshati Radë në Manzë, si dhe fshati Shetaj.
Siç e shikoni, rrugë nuk ka, nuk ka asnjë investim të ri, por ama specialistët e vjedhjes së parave të shqiptarëve po bënin një meny për restorantet imagjinare të shumicës dërmuese të këtyre 100 fshatrave. Ndërkohë që zyrtarë të korruptuar shpërdorojnë taksat e qytetarëve më të varfër në Europë, me skema të tilla si kjo meny 500-milionëshe, njerëzit e ndershëm të këtij vendi vuajnë varfërinë e krijuar nga korrupsioni i kudondodhur apo braktisjen nga një qeveri që prioritet ka klientët e vet dhe jo qytetarët. Në kushtet kur 40% e familjeve nuk arrijnë dot të ngrohin shtëpitë e tyre në këtë acar dimri; kur 50% e familjeve shqiptare nuk arrijnë të paguajnë dot më shumë se një vakt të plotë për fëmijët e tyre; kur 90% e familjeve shqiptare e shpenzojnë të gjithë buxhetin e tyre për të përmbushur nevojat bazë, për të paguar çmimin më të lartë në rajon të energjisë; Edi Rama me paratë e tyre kryen udhëtime luksi për qejfet e veta dhe qeveria e tij shpenzon plot 500 milionë për meny restorantesh.
Ne inkurajojmë SPAKun të çojë para drejtësisë çdo abuzues të taksave të shqiptarëve, faturat e të cilëve kanë bërë që shqiptarët të jenë ndër popujt më të varfër në rajon. Shqipëria është e varfër sepse ajo vidhet çdo ditë nga politikanë të korruptuar. Rama është i korruptuar. Qeveria e tij është e korruptuar. Me këta në krye, Shqipëria nuk mund të ketë zhvillim. Shqiptarët duhet ta braktisin të shkuarën dhe të korruptuarit! HETIMI Katër ditë më parë, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka vënë nën hetim kreun e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agollin, pas zbulimit të skandalit që i dha tenderin prej 400 mijë dollarësh kuzhinierit që punon me djalin e tij, Alfio Rrotani. Zyrtarisht u mësua se Agolli po hetohet nga SPAK për “Shpërdorim detyre”, “Abuzim me fondet publike” dhe “Korrupsion”. Por pyetja që ngrihet për situatën e krijuar kur drejtuesi i FSHZH-së është vënë nën hetim nga SPAK për dyshimet se ka abuzuar me tenderët: a duhet Dritan Agolli të shkarkohet deri në përfundim të hetimeve? Sipas precedentëve të kaluar, Dritan Agolli duhet të largohet nga kjo detyrë deri në përfundim të hetimeve, pasi është i lartë rreziku se duke qëndruar në detyrë, mund të komprometojë çështjen, duke manipuluar provat apo duke i fshehur.
PRECEDENTI
Duke qëndruar në detyrë, rreziku që ky hetim të “sabotohet” nga brenda duke ndikuar te personat që mund të thërriten për të dëshmuar, lë vend për dyshime. Por duke e krahasuar me situatat e mëparshme, kujtojmë rastin e ish-kryebashkiakut të Lushnjës, Fatos Tushe, i cili për një shumë dy herë më të ulët se kjo e Dritan Agollit, u arrestua deri në përfundim të hetimeve, në mënyrë që ky i fundit të mos ndikonte në fshehjen e provave. Ajo që do të vihet re në vijim do të jetë fakti nëse drejtësia do të veprojë si në rastin e Fatos Tushes, duke shmangur në këtë mënyrë edhe dyshimet se po vepron me dy standarde. Po ashtu, vlen të theksohet se vetë Kryeministri Edi Rama është treguar i prerë dhe i qartë në shumë raste, se asnjë zyrtar i shtetit dhe administratës nuk do të fshihet pas siglës së Partisë Socialiste. Sipas Ramës, çdo zyrtar do të duhet të përballet individualisht si qytetar i lirë me drejtësinë.
TENDERI
Ajo që u konceptua si një skandal, lidhet me faktin se Fondi Shqiptar i Zhvillimit shpalli fitues kompaninë “Mascarpone sh.p.k” në pronësi të Alfio Rrotanit dhe me Endrit Macin person fizik, që të dy me lidhje pune me biznesin e djalit të drejtorit. Referuar dokumentacionit të tenderit në fjalë, rezulton se operatori “BOE Kube Studios Shpk & Albanian Gastronomy Academy AGA” ka ofruar 39 milionë lekë për krijimin e menysë, ndërsa kompania fituese ka ofruar 41 milionë lekë. Ky operator do të ketë në dispozicion 3 vite për studimin e menysë autentike për projektin e 100 fshatrave.