Mario, një nga dy fëmijët e Gentiana Hudhrës, 45-vjeçares shqiptare të vrarë me thikë dy ditë më parë në Itali nga ish-bashkëshorti i saj, ka treguar për mediat italiane momentet e fundit para tragjedisë që tronditi opinionin publik.
“Isha me babin, shkuam të hanim akullore… pastaj ai vrau mamin,” është shprehur i riu, duke përshkruar skenarin e dhimbshëm që parapriu krimin makabër të ndodhur në rrugët e Perugias.
Autori i femicidit, 55-vjeçari Nikollaq Hudhra, punëtor në një kompani bujqësore në Passignano sul Trasimeno dhe me origjinë shqiptare, u vetëdorëzua menjëherë pas ngjarjes. Ai e priti mbërritjen e karabinierëve ulur në një stol pranë vendit të krimit dhe pranoi menjëherë se kishte vrarë ish-gruan.
Krimi ndodhi të shtunën në mbrëmje (14 qershor), teksa viktima po shkonte në punë. Hudhra e goditi ish-bashkëshorten me një thikë me teh 18 centimetra, duke e lënë të pajetë në vend. Sipas deklarimeve të tij në polici, ai pretendoi se kishte vepruar “për të shpëtuar fëmijët”.
Gentiana dhe Nikollaq Hudhra ishin të ndarë që prej vitit 2021 dhe kishin dy fëmijë, të moshës 21 dhe 23 vjeç, të cilët jetonin me nënën e tyre. Sipas autoriteteve italiane, nuk kishte asnjë sinjal paralajmërues të ndonjë rreziku të menjëhershëm për jetën e viktimës në ditët e fundit.
Prokuroria ka urdhëruar kryerjen e autopsisë mbi trupin e viktimës dhe i ka ngarkuar 55-vjeçarit rrethana rënduese të tilla si marrëdhënia bashkëshortore, veprimi me paramendim dhe egërsia e aktit.
Sot pritet të zhvillohet seanca e konfirmimit të arrestimit dhe marrja në pyetje e të dyshuarit nga gjyqtari i hetimeve paraprake.