Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar pas rastit të helmimit të disa fëmijëve në një kopsht në qytetin e Gramshit, ku dyshohet se shkaku është ushqimi i konsumuar në institucionin parashkollor.
Në një njoftim të publikuar në rrjetin social Facebook, AKU bën me dije se janë marrë mostra të ndryshme të ushqimeve të përdorura në kopsht, për të kryer analizat laboratorike të nevojshme.
Sipas autoritetit, për mostrat e produktit qumësht dhe kofshë pule të kampionuara nga DRAKU Elbasan, si dhe për qumësht, kofshë pule dhe vezë të kampionuara nga DRAKU Tiranë, rezultatet paraprake kanë dalë negative për praninë e bakterit Salmonella spp.
Ndërkohë, analizat për produktin vezë të kampionuar nga DRAKU Elbasan dhe kofshët e pulës të kampionuara nga DRAKU Tiranë janë ende në proces dhe priten rezultatet përfundimtare.
Komunikim për publikun
Në kuadër të transparencës, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon ndjekjen e procedurave ligjore dhe informimit të publikut, lidhur me kampionaturat e marra në produktet ushqimore lëndë e parë në kopshtin Nr .1 në qytetin e Gramshit dhe në subjektin furnizues në Tiranë, të cilat u dërguan për analizim për treguesin Salmonella spp pranë Laboratorit të Referencës në ISUV.
Informojmë se për mostrat e dërguara për analizim për produktet lëndë e parë qumësht dhe kofshë pule, të kampionuara nga DRAKU Elbasan, si dhe produktet qumësht, kofshë pule, vezë e kampionuar nga DRAKU Tiranë, kanë rezultuar të pastër për treguesin Salmonella spp.
Ndërsa për produktin vezë kampionuar nga DRAKU Elbasan dhe kofshë pule kampionuar nga DRAKU Tiranë, analizimi është ende në proces.
Sapo të kemi këtë informacion, AKU do të vijojë me informimin e mëtejshëm të publikut.