Avokati mbrojtës i Erion Veliajt, Plarent Ndreca ka reaguar pas seancës së fundit ndaj kryetari të bashkisë së Tiranës, ku u refuzua kërkesa e tij për ta nxjerrë nga kafazi prej xhami. Në një deklarata, Ndreca tha se seanca nuk ishte thjesht një procedurë e zakonshme, por një tregues i situatës problematike në sistemin e drejtësisë.
Ai theksoi se mbrojtja ka kërkuar që në sallën e gjyqit të paraqiten 35 fashikuj me prova digjitale, të cilat sipas tij rezultojnë të pahapura dhe të pashqyrtuara.
Sipas avokatit, këto prova nuk janë vënë asnjëherë në dispozicion të mbrojtjes dhe as vetë i pandehuri nuk ka pasur mundësi të njihet me to.
“Nga ana jonë u paraqitën kërkesa bazike për një proces të rregullt ligjor. Kërkuam që gjykata të sillte në sallë 35 fashikuj me prova digjitale (CD/USB), të cilat rezultojnë të pahapura dhe të konstatohej ky fakt në seancë: prova që nuk janë hapur, nuk janë parë dhe nuk janë vlerësuar as nga gjykata e seancës paraprake, megjithëse ajo ka marrë vendim mbi to. Kërkuam gjithashtu që këto prova të viheshin në dispozicion të mbrojtjes, pasi nuk janë administruar kurrë prej saj, ndërsa z. Veliaj jo vetëm që nuk i ka marrë, por nuk ka asnjë mundësi teknike të njihet me to. Reagimi i gjykatës ishte tronditës: e injoroi këtë fakt, e konsideroi të ezauruar kohën e mbrojtjes për njohjen me aktet, refuzoi çdo verifikim, nuk solli fashikujt, nuk konstatoi gjendjen e tyre dhe, ndërkohë, as vetë nuk i ka hapur dhe nuk është njohur me to“, thote avokati.
Në deklaratë kritikohet edhe refuzimi për transmetimin e seancave gjyqësore, si dhe mospranimi i kërkesës që Veliaj të mos qëndrojë në kafazin e xhamit gjatë procesit.
“Në të njëjtën linjë, u refuzua pa asnjë argument dhe pa bazë ligjore kërkesa për transmetimin e seancave, në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe me praktikën e Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu, u refuzua e drejta e z. Veliaj për të qenë në kushte dinjitoze dhe të barabarta me palën tjetër, përmes eliminimit të qëndrimit në kafazin e xhamit, një kërkesë që u trajtua në mënyrë cinike dhe arrogante nga akuza, duke u krahasuar me një qëndrim në “hotel me 5 yje”.“, thote Ndreca.


