Një rast i kultivimit të drogës u godit në Mirditë sot (30 prill) teksa u zbulua një parcelë me kanabis në fazë të hershme.
Gjatë operacionit, në fshatin Dardhëz, brenda në një zonë të pyllëzuar, policia konstatoi një miniserë të improvizuar me platforma polistiroli, ku ishin kultivuar fidanë hashashi.
Burime policore thanë se fidanët u asgjësuan në vend nga efektivët, ndërsa u ndërmorën veprime të menjëhershme për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
“Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë, në afërsi të vendit ku u zbuluan fidanët, u arrestua në flagrancë shtetasi K. Gj., 27 vjeç, banues në Shënkoll, i dyshuar si kultivues i bimëve narkotike”, bëri me dije policia vendore.
Gjithashtu u njoftua se kontrollet për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale do të vijojnë në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim parandalimin dhe ndëshkimin e rasteve të kultivimit të lëndëve narkotike.


