Rreth 3.7 milionë qytetarë shqiptarë, sot do të ushtrojnë të drejtën e votës për të zgjedhur 140 përfaqësuesit e rinj në Kuvendin e Shqipërisë. Procesi i votimit ka nisur në orën 07:00 të mëngjesit dhe do të përfundojë në orën 19:00 të mbrëmjes.
Një risi e këtyre zgjedhjeve parlamentare është përfshirja për herë të parë e votës së diasporës. Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, janë regjistruar 245.935 emigrantë shqiptarë që do të votojnë nga jashtë vendit.
Në garë për të siguruar shumicën parlamentare janë 11 subjekte dhe koalicione politike, kandidatët e të cilëve renditen në lista të hapura dhe të mbyllura. Çdo subjekt politik paraqitet me 186 kandidatë, prej të cilëve 46 janë nga lista e mbyllur.
Subjektet dhe koalicionet që marrin pjesë në zgjedhje janë:
- Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore, i drejtuar nga Sali Berisha
- Lëvizja Bashkë, e drejtuar nga Arlind Qori
- Lëvizja Atdheu, e drejtuar nga Kreshnik Osmani
- Koalicioni Euroatlantik, i drejtuar nga Endri Hasa
- Partia Socialiste e Shqipërisë, e drejtuar nga Edi Rama
- Koalicioni Nisma “Shqipëria Bëhet”, i drejtuar nga Adriatik Lapaj
- Aleanca Kombëtare Shqiptare, e drejtuar nga Elena Kocaqi
- Aleanca Demokracia e Re, e drejtuar nga Edmond Stojku
- Koalicioni Djathtas për Zhvillim, i drejtuar nga Dashamir Shehi
- Mundësia, e drejtuar nga Agron Shehaj
- Partia Socialdemokrate, e drejtuar nga Tom Doshi
Procesi i numërimit pritet të nisë menjëherë pas mbylljes së votimit dhe rezultatet paraprake pritet të dalin në orët e para të mëngjesit të nesërm.