Deputetja demokrate Ina Zhupa e quan “sjellje banditeske” aksioni e paligjshëm të policisë ushtrisë dhe personave të tjerë të panjohur për sekuestrimin e materialeve të gazetarëve në ambjentet e News 24.
Zhupa thekson se halli i qeverisë ishte t’i vërë armët në kokë lirisë së fjalës, teksa gazetarëve iu morën pajisjet dhe materialet e tyre, mes të cilave ishin dhe dosje investigative.
Postimi i deputetes së PD, Ina Zhupa:
Halli nuk ishte një godinë! Halli ishte të venë “armët në kokë” fjalës së lirë dhe gazetarëve dhe jo se ku do prodhojnë armë!
Bastisin median pa asnjë shkresë dhe dhunojnë gazetarët që kërkojnë të shikojnë se ku bazohet ky veprim në shkresë zyrtare.
Persona civil që po bastisin ambientet e Neës 24, duke rrëmbyer pa asnjë të drejtë ligjore materialet e punës, kompjuterat dhe dokumentat e gazetarëve po kryejnë një shkelje të rëndë me urdhër politik.
Kërkesës për të paraqitur një shkresë zyrtare se ku e bazonin këtë veprim policia e shtetit i është përgjigjur me dhunë ndaj kryetarit të Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë Isa Myzyraj dhe gazetarit Osman Stafa.
Marrja e materialeve të punës së gazetarëve është e paprecedent dhe e paligjshme! Këto veprime përbëjnë një shkelje flagrante të lirisë së medias, të drejtës së informimit dhe mbrojtjes së burimeve konfidenciale të gazetarëve, parime të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe praktika e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Për këdo që ende kishte dyshime tashmë kuptohet qartësisht arbitrariteti i një qeverie që nuk ka hallin e një godine, por ka hallin të heshti gazetarët, të zhduk materialet investigative nga kompjuteri i Klodi Lales, i Osman Stafës dhe të gjithë gazetarëve kurajoz të këtij grupi mediatik.