Persona të paidentifikuar kanë bastisur një banesë në zonën malore të Shkodrës, ku duket se kishin informacione të besueshme se pronari i objektit posedonte edhe flori.
Përveç shumës së parave, autorët kanë marrë edhe një sasi të konsiderueshme ari dhe kjo sipas denoncimit që vetë i dëmtuari 50-vjeçar ka bërë në Komisariat.
“Ka kallëzuar shtetasi A. H., 50 vjeç, se i kanë vjedhur një shumë parash dhe një sasi floriri në banesën e tij, në fshatin Gruemirë-Çezmë, gjatë kohës që në banesë nuk ka pasur njeri”, konfirmoi policia vendore.
Pas kallëzimit dhe këqyrjes së kryer në banesë nga ekspertët për gjurmë daktiloskopike apo biologjike të lëna nga autorët, po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve. Nuk ka detaje se sa ishte sasia e floririt të vjedhur dhe e shumës së parave.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.