Qeveria shqiptare ka reaguar sot pas paralajmërimit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë për sulme të mundshme nga grupet e lidhura me Iranin.
Në një deklaratë për mediat, Agjencia për Media dhe Informim e ka cilësuar alarmin e ambasadës së SHBA si hamendësim dhe se informacionet e tyre nuk korrespondojnë me situatën aktuale në vend.
Po ashtu në njoftim thuhet se Ambasada Amerikane lëshon paralajmërime të tilla edhe për protestat me molotovë që organizon PD dhe Sali Berisha në Tiranë.
“Ambasada e SHBA jep rregullisht alarme të tilla, madje edhe kur dalin në protestë grupe opozitare që djegin kazanët e mbeturinave apo gjuajnë me molotov për të dalë në fotografi në gazetat e huaja, por agjencitë ligjzbatuese të Republikës së Shqipërisë nuk kanë asnjë informacion shqetësues lidhur me këtë hamendësim të ambasadës amerikane.
Kështu që ne i ftojmë qytetarët amerikanë të mos humbasin asnjë nga mundësitë e mrekullueshme që ofron Shqipëria, me vendet e saj të panumërta turistike, mikpritjen e saj të pakonkurueshme dhe ushqimin e saj të paqortueshëm”, thuhet në reagim.
Kujtojmë se Ambasada e SHBA-së në Tiranë paralajmëroi qytetarët amerikanë për mundësinë e sulmeve nga grupe të lidhura me regjimin e Teheranit, duke u bërë thirrje për vigjilencë.
“Grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Ata gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante. Ne i inkurajojmë qytetarët amerikanë të ushtrojnë vigjilencë të shtuar,” tha ambasada e SHBA.


