Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO Apel) ka shpallur sot vendimin për çështjen penale ndaj 14 të pandehurve të akuzuar për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal të angazhuar në trafikim narkotikësh.
Pas shqyrtimit të ankesave të SPAK-ut dhe të vetë të pandehurve, trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtaret Igerta Hysi (kryesuese), Nertina Kosova dhe Tereza Merkaj vendosi të lërë në fuqi dënimet për 13 prej tyre dhe të ndryshojë dënimin për Kudret Rustemajn.
13 të pandehurit për të cilët vendimi i Shkallës së Parë mbeti në fuqi: Sulo Pajo, Arian Tola, Fadjon Cami, Viron Lekaj, Artan Agalliu, Shpëtim Pjeshka, Jani Çavo, Besnik Ruçi, Pirro Çapi, Jani Meçja, Edmond Kabashi, Sonila Sula, Artur Sulaj.
Ndryshimi për Kudret Rustemajn
Gjykata e Apelit e shpalli fajtor për:
• “Trafikim të narkotikëve” në tentativë, në bashkëpunim si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal (episodi nr. 4).
• “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.
Ai ishte dënuar fillimisht me 12 vite burg, por në aplikim të procedurës së shkurtuar përfitoi ulje me 1/3 dhe do të vuajë 8 vite burg, në një institucion të sigurisë së lartë. Koha e paraburgimit i zbritet nga dënimi.
Vendimi:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Igerta Hysi (kryesuese), Nertina Kosova (anëtare) dhe Tereza Merkaj (anëtare), më datë 22.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 31 akti, datë 08.04.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ankimet e paraqitura nga të pandehurit S.P., A.T., F.C., V.L., A.A., Sh.P., J.Ç., B.R., P.Ç., J.M., E.K., S.S. dhe A.S., ndaj vendimit nr. 72, datë 05.12.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 72, datë 05.12.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të pandehurit S.P., A.T., F.C., V.L., A.A., Sh.P., J.Ç., B.R., P.Ç., J.M., E.K., S.S., A.S.
2. Ndryshimin e vendimit nr. 72, datë 05.12.2024 të Gjykatës së Posaçme Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të pandehurin K.R., në këtë mënyrë:
– Deklarimin fajtor të të pandehurit K.R. për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal (për episodin nr.4), e parashikuar nga nenet 283/a/1 –22- 28/4 të Kodit Penal, dhe në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.
– Deklarimin fajtor të të pandehurit K.R. për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes, e parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
– Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, dënimin e të pandehurit K.R. me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.
– Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, masës së mësipërme të dënimit i zbritet 1/3, duke u dënuar përfundimisht i pandehuri K.R. me një dënim të vetëm prej 8 (tetë) vjet burgim.
– Vuajtja e dënimit për të pandehurin K.R. do të fillojë nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi, duke u përllogaritur dhe kohëzgjatja e paraburgimit, dhe do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
3. Shpenzimet gjyqësore edhe të gjykimit në apel, i ngarkohen solidarisht të pandehurve.
4. Kundër vendimit mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të tij.
U shpall në Tiranë, më datë 22.07.2025.