Një operacion i paligjshëm dhe i paprecedentë po zhvillohet në zemër të Tiranës, brenda ambienteve të televizionit News24.
Autori i emisionit Vetting në News 24, Ardian Bushi shprehet në një deklaratë të tijen se nën mbulesën e ushtrisë dhe policisë, civilë të paidentifikuar po grabisin hapur pajisjet e redaksisë, në një akt që ngjan më shumë me represion autoritar sesa me shtet ligjor.
Deklarata e plotë:
Një operacion i pazakontë dhe i paligjshëm po ndodh në zemër të kryeqytetit, në ambientet e televizionit News24. Pas hyrjes së një kamioni me targa AA 787 PM të dyshuara si targa false në zonën e blinduar nga policia e shtetit dhe ushtria, situata ka marrë një kthesë edhe më alarmante: tashmë brenda janë futur edhe mjete të ushtrisë.
Ky akt përbën një precedent të rrezikshëm: ushtria dhe policia, që duhet të mbrojnë pronën dhe qytetarët, po përdoren si mburojë për të shkatërruar e zhdukur mjetet e një redaksie mediatike. Në thelb, kjo është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias, e ngjashme me praktikat e regjimeve autoritare që fillojnë kontrollin duke shuar zërat kritikë.